"Diskriminues"/ Kisha Katolike kundërshton kufizimet anti-Covid: Ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes
Kisha katolike ka reaguar ndaj vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve që vendosi një ditë më parë zgjerimin e fashës së ndalimit të lëvizjes nga ora 8 e gjysmë e mbrëmjes deri në orën 6 të mëngjesit. Sipas Imzot George Frendo, masa që hyn në fuqi mbrëmjen e 24 dhjetorit pengon ceremonitë e planifikuara për Krishtlindjen, për të cilat ishin njoftuar edhe besimtarët. Në letër kërkohet rishikimi i kufizimeve pasi aktivitetet e planifikuara do zhvilloheshin sipas rregullave anti-Covid.
Kisha Katolike ka dalë kundër vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për zgjerimin e fashës orare të kufizimit e lëvizjes për qytetarët pas orës 20:30.
Vendimi hyn në fuqi në datën 24 dhjetor, në prag të Krishtlindjes por Kisha nuk e ka pritur mirë këtë kufizim.
Në një letër zyrtare të dërguar kryetares së Komitetit Teknik, Mira Rakacolli, Kisha Katolike e konsideron këtë masë si diskriminuese për besimtarët, në kushtet kur Kisha kishte përgatitur kremtimin e Krishtlindjes.
"Ne si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshët në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020, sikurse do të shihni nga dokumenti bashkëngjitur. Në këtë dokument kemi vendosur që meshët të mbahen në orare që t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00. Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit".
Sipas vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve prej datës 24 dhjetor ndalohet lëvizja jashtë banesës prej orës 20:30 deri në 06:00.
Vendimi po ashtu urdhëron mbylljen e bareve dhe restoranteve në të njëjtën fashë orare.
Letra e plotë:
Prot. 65/2020
Për dijeni: Znj. Ogerta Manastirlliu
Nunciaturës Apostolike në Shqipëri
Tiranë 21 dhjetor 2020
E Nderuar Zonja Rakacolli,
U njohëm me vendimin e ri të Komitetit të Ekspertëve të drejtuar prej jush, rreth kufizimit në kuadër të masave anti-COVID të marra nga qeveria shqiptare që ndalon qarkullimin e njerëzve pas orës 20.30, duke filluar nga data 24 dhjetor, pikërisht natën e Krishtlindjes.
Ne si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshët në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020, sikurse do të shihni nga dokumenti bashkëngjitur. Në këtë dokument kemi vendosur që meshët të mbahen në orare që t’u lejojnë njerëzve të kthehen nëpër shtëpitë e tyre para orës 22.00.
Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit netën. Sapo kishim njoftuar të gjithë besimtarët tanë dje, ditën e Diel, se mesha e Krishtlindjes do të kremtohej te enjtem në orën 20.00.
Me kënaqësi do të kishim marrë pjesë në konsultim për një gjë të tillë.
Duke ju uruar punë të mbarë ju përshëndes,
me nderime George Frendo O.P.
Kryetar i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë
Lexo edhe:
Nga 24 dhjetori- 4 janar, ndalimqarkullimi nis në 20:30, pezullohen fluturimet drejt Anglisë