Alibia e vjehrrit të Nikoll Sherrnikut: Dhëndrin e kam pasur në shtëpi, nuk ka lidhje me vrasjen e Xhulio Prelës

Astrit Dilavergjoka, vjehrri i Nikoll Sherrniku, një nga dy të akuzuarit për vrasjen e efektivit të FNSH-së Xhuloi Prela me 5 dhjetor, mohon akuzat e ngritura ndaj dhëndrit të tij.

Para gjykatës ku sot pritet të bëhet vlerësimi i masës së sigurisë për Sherrnikun, vjehrri paraqiti alibinë për gazetarët se dhëndrin e ka pasur në shtëpinë e tij me 4 dhjetor dhe mëngjesin e 5 dhjetorit Nikolla ka ikur në shtëpinë e tij për të festuar ditëlindjen.

"Është i fejuari i vajzës time, ka katër vjet që është fejuar. Për akuzën që ëahtë ngritur ndaj tij deklaroj me bindje të plotë se Nikoll Sherrniku ka fjetur atë natë te shtëpia ime. Në 9 të mëngjesit ka shkuar te shtëpia se me datë 5 kishte ditëlindjen. Jemi organizuar si familje dhe kemi shkuar te shtëpia e tij me datë 5, kemi qëndruar deri në 23:00 ku hëngrëm darkë dhe pastaj kemi ikur në shtëpinë tonë. Kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë te shtëpia ime atë natë. Nikolla ka qëndruar ca kohë në Itali ku ka punuar si mekanik. Pastaj ka ardhur në Shqipëri, edhe këtu rregullon ndonjë makinë, me halle dhe probleme".

Dilavergjoka mohon që dhëndri të ketë makinë në pronësi të tij, të paktën prej katër vitesh që është i fejuar me vajzën e tij.

Ai apeloi drejtësinë që të mos e akuzojë atë padrejtësisht, duke e përshkruar dhëndrin si një njeri hallexhi në punë të vet.

"Ai nuk ka disponuar asnjë mjet në pronësinë e vet prej katër vitesh që është dhëndër i imi. E kam ndihmuar ekonomikisht aq sa mundësi kam pasur, edhe shtëpinë që e ka bërë është akoma borxh. Mos të funksionojë kështu drejtësia, të kapet tjetri pa asnjë lloj fakti. Është njeri hallexhi, të mos i bëjnë akuza të pabaza".

LEXO EDHE: Vrasja e efektivit të FNSH, del para gjykatës Nikoll Sherrniku