Shehu: Covax siguron vaksina vetëm për 20% të popullsisë, nuk dihet se kur vjen në Shqipëri
Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu në Ora News ka thënë se Shqipëria është lidhur me kompaninë Covax për vaksinën anticovid, e cila po has në një krizë financiare.
Sipas Shehut, Covax siguron vaksina për një përqindje shumë të ulët të popullsisë, teksa shton se procesin e shpërndarjes e ka shumë të ngadaltë.
Shehu: Mendoj se jemi ngurtësuar në Shqipëri me një organizëm që për natyrën e tij, misionin e tij, detyrën e tij është i papërputhshëm me interesat tona dhe me standardet europiane, Covax.
Covax është një organizëm i OBSH që realisht është për të krijuar një balancë në shpërndarjen e vaksinave në vendet e pazhvilluara. Fatkeqësisht në këtë kohë është i nënfinancuar. Ka marrë një financim rreth 400 milion euro nga BE. SHBA janë donatori kryesor. Ne jemi lidhur me Covax dhe siguron vaksina për vetëm 20% të popullsisë që lidhet me të dhe në kohë lëvrimi ka qenë deri në 2021.
Fatkeqësisht sot Covax është në vështirësi ekonomike dhe financiare për shkak të nënfinancimit që ka dhe nuk po gjen tregun për vaksina. Prandaj sugjerohet shtyrja e kohës së furnizimit me vaksina. Askush nuk e di se kur. Disa thonë në fund të marsit do të fillojë furnizimi i Covax, disa thonë në maj, asnjë nuk e di. Madje ka artikuj që fliste për mundësinë që Covax të fillonte të furnizonte vende të tjera nga viti 2023. Pra Covax ka kohë shumë të ngadalta furnizimi.