Mbyllja e Italisë për festa, emigrantët shqiptarë nxitojnë të kthehen në atdhe

24 orët e fundit shënuan nisjen e fluksit të kthimit të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit për festa në shtëpi. Fluksi nga deti konsiderohet i parakohshëm, por bëhet për të shmangur izolimin në Itali gjatë festës së Krishtlindjes dhe Vitit të ri.  Lëvizje të shtuara ka edhe në kufi me Greqinë.

E diela shënoi nisjen e fluksit të kthimit të emigrantëve për festat e fundvitit në Shqipëri në rrugë detare dhe tokësore.

Rreth 3800 udhëtarë hynë vetëm në portin e Durrësit me tre tragetet e linjave me Barin dhe Ankonën.

Për të përballuar fluksin, policia kufitare ka hapur 20 sportele, ndërkohë që janë shtuar kontrollet edhe për gjendjen shëndetësore të udhëtarëve.

388 persona ndërkohë hynë në portin e Vlorës.

Fluksi i kthimit nga Italia është i parakohshëm në krahasim me vitet e kaluara, por i nxitur nga masat kufizuese që vendi fqinj do të aplikoje gjatë festave.

Italia do të jetë zonë e kuqe me një regjim lockdowni të plotë në ditët festive e parafestive të Krishlindjes e të ndërrimit të viteve, ndërsa nga data 24 dhjetor deri më 6 janar 2021,do të aplikohen masa izolimi brenda komunave, rajoneve e provincave.

Edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi kanë nisur të rikthehen, por me fluks më të ulët lëvizje.

552 persona kaluan në 24 orët e fundit nga pika kufitare e Kapshticës e cila funksionon vetëm në hyrje për në Shqipëri vetëm për këmbësorët dhe kamionët e mallrave.

Me 758 persona në hyrje dhe  415  në dalje, fluksi ende konsiderohet normal në pikën kufitare të Kakavijës, e vetmja nga ku kryhet lëvizja normale tokësore me Greqinë.