"Çmimet janë fiks fare" ironia e qytetarëve për raportin e INSTAT

Me ironi i përgjigjen të rinjtë raportit të INSTAT ku e vlerëson vendin tonë të pestin në Evropë sa i përket rritjes së çmimeve.

I riu: 'Sigurisht që çmimet në Shqipëri nuk janë të shtrenjta për popullin shqiptar. Madje janë të ulëta'  Unë p.sh me 200 mijë lekë rrogë që marr më dalin për ujë, drita, të ngrënë, të pira, pushime, dal ndonjëherë më shokun pimë ndonjë gjë. Jemi fiks fare.

Pandemia ka goditur jo pak ekonominë e vendit, ndërsa qytetarët shprehen se çmimet janë të papërballueshme me pagat që marrin.

Qytetarja: Kohë virusi, nuk ka lekë, nuk ka punë, nuk ka asgjë. Mua 100 mijë lekë më shkojnë dritat. Pensioni im 100 mijë lekë është. Ku do jetojë njeriu?

Qytetari: Çmimet janë rritur. Rrogat sado që janë ngritur prapë se prapë nuk janë në kohën e duhur.

E reja: Niveli i jetesës në Shqipëri është me standarde marramendëse, ndërsa niveli i pagave është shumë i ulët. Mjafton të shohim qiratë e shtëpive janë mbi 300 mijë lekë, aq është një pagë. Si përballohet jetesa në këtë rast?

Qytetari: Janë pak shtrenjtë. Për ca më del pensioni mua. Gruaja merr 200 nga këto 120 janë ilaçe.

Qytetarët i bëjnë apel qeverisë që të rrisë pagat dhe pensionet për të ndihmuar sado pak në ekonominë e tyre.

E reja: Të miratojmë minimumin jetik pikë së pari. Duhet të ketë një farë standardi për nivelin e jetesës së shqiptarëve.

Sipas raportit të INSTAT, në krahasim me vendet e Europës vendi ynë renditet i pesti për rritjen më të madhe të çmimeve në muajin nëntor, me 2.2 për qind. Raporti për Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit tregon se rritja më e madhe e çmimeve prej 4.7 për qind vërehet në grupin ushqime dhe pije joalkoolike, pasuar nga grupi i transporteve me 3.1 për qind.