"Po i thyhen dhe dërrasat", banorët tregojnë rrezikun kur kalojnë tek Ura e 'Ali Pashës"

Shtatë fshatra të Tepelenës kanë si mundësi lidhjeje me qytetin vetëm urën e Beçishtit.

Por kjo urë, e shpallur monument kulture, rrezikon jetët e qindra banorëve që kalojnë çdo ditë mbi të, për shkak se këmbët e saj janë dëmtuar nga pritat rrethuese të ngritura gjatë ndërtimit të Bypassit të Tepelenës.

Banori: Shikojmë vdekjen me sy hapur, ne që kalojmë me këto mjetet, se çojmë fëmijët. Ushqehemi me këtë urë se këtu kalojmë.

Banorja: Për ne vetëm një rrugë, një urë që të lidhen fshatrat, se po merohen fëmijët.

Banori: Po si nuk ndihemi të rrezikuar, mirë ne që jemi të mëdhenj, po fëmijët e shkollës.

Urës po i thyen edhe dërrasat, ndërsa banorët shprehen të frikësuar pasi aty kalojnë çdo ditë fëmijët që shkojnë në shkollë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për të parandaluar ndonjë tragjedi të mundshme.

Banori: Kjo duhet bërë, kjo do hajë koka të tjera.  Se ca do bëjë pastaj shteti unë  nuk e di  por duhet bërë.

E njohur ndryshe si Ura e Ali Pashës, ajo mban statusin e monumentit te kulturës dhe është rikonstruktuar 8 vite më parë, por degradimi ka qenë i shpejtë. Ura ka gjurmë të periudhës romake dhe është e një rëndësie të veçantë.