Pasivizimi i adresave në Luginë, Osmani: Krim dhe spastrim etnik nga Serbia; Meta: Absurditet! Cakaj nis aksionin diplomatik

Presidentja e Kosovës dhe ai i Shqipërisë ngritën shqetësimin lidhur me pasivizimin e adresave në Medvegjë nga Serbia.

Në konferencën për mediat, Osmani ishte më e ashpër duke e cilësuar një krim tjetër serb ndaj shqiptarëve.

Osmani: Diskutuam për krimin tjetër që po bëhet ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe në veçanti në Medvegjë që është pasivizimi i adresave atje. Është një lloj spastrimi etnik i heshtur. Kjo kërkon një zë shumë më të fuqishëm dhe veprim shumë më konkret nga institucionet në Kosovë dhe në Shqipëri dhe bashkëpunim më konkret dhe me BE dhe kërkesat në raport me BE në mënyrë që Serbia të ndërpresë këtë krim në raport me shqiptarët që jetojnë në këto vende.

Ndërkaq Meta duke e konsideruar një absurditet të madh nga një vend që është në proces anëtarësimi me BE ndaj dhe kërkoi reflektim nga Serbia.

Meta: Sa i takon pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Medvegjë është një shqetësim legjitim dhe absurditet i madh për një vend që është në proces negociatash me BE që të mos respektojë disa të drejta terësisht elementare. Shpresojmë të ketë një reflektim në këtë drejtim dhe ta ndjekim këtë çështje edhe sëbashku.

Do të bëjmë çdo përpjekje për të vazhduar bashkëpunimin me përfaqësuesit shqiptarë të Medvegjës dhe Luginës por edhe me të gjithë institucionet ndërkombëtare që kujdesen në mënyrë të veçantë për respektimin e të drejtave të njeriut për të ndjekur këto shqetësime mjaft të rëndësishme që janë të përsëritura kohë pas kohe.

Shpresojmë që të ketë reflektim edhe nga shteti atje për të plotësuar detyrimet e tij dhe në kuadër të procesit të integrimit europian përveçse detyrimeve si vend anëtar i OSBE, Këshillit të Europës dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Për këtë çështje ka ndërmarrë një aksion diplomatik dhe vetë qeveria shqiptare.

"Rrugës për në aksion diplomatik për t'iu dhënë zë shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për çështjen e fshirjes së qëllimshme të adresave dhe jo vetëm" njoftoi Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.