Shpërblimet e policisë pa rezultate, policia ofroi 10 mijë euro për Talo Çelën, asnjë telefonatë nga qytetarët
Policia vijon të japë shpërblime për qytetarët që japin informacione për personat e shpallur në kërkim por deri më tani pa rezultate. Rasti më i fundit është njoftimi i ri për të treguar vendndodhjen e Talo Çelës, pasi operacionet për kapjen e tij kanë dështuar. Blutë kanë një listë të gjatë me emrat e shpallur në kërkim ndër vite, të dënuar dhe nga gjykata për vepra të rënda penale.
Policia e Shtetit vazhdon të mbajë në fuqi shpërblimet për të marrë informacion lidhur me personat e shpallur në kërkim, por deri më tani pa rezultate konkrete. Rasti më i fundit është shpërblimi për të shumëkërkuarin Talo Çela i cili vijon të jetë në arrati.
Në muajin korrik, blutë ofruan 10 mijë euro shpërblim për çdo qytetarë që jep informacion të vlefshëm për kapjen e Talo Çelës, i shpallur në kërkim për disa vrasje dhe grabitjen e miliona eurove në Rinas.
Prej muajit korrik deri më tani qytetarët nuk kanë dhënë asnjë kontribut për kapjen e tij, ndaj blutë apelojnë sërish qytetarët të bashkëpunojnë.
Burimet bëjnë me dije se janë marrë informacione në rrugë operative por dy operacione të zhvilluara për kapjen e Çelës kanë dështuar.
Në gusht pati një aksion në Peqin ku dyshohej se i kërkuari i policisë fshihej, por pa rezultat.
Aksioni i dytë u realizua pas vrasjes së të vëllait Bujar Çela, por dhe këtë herë pa rezultat konkret.
Operacioni i dytë u realizua tek vila 3 katëshe e Çelës, ndërsa dyshohet se ai është rikthyer sërish në këtë banesë më pas, pasi kundërshtarët e tij e shënjestruan duke i vënë një sasi tritoli katit të parë të banesës.
Krahas Talo Çelës, policia së fundmi ka dhënë shpërblim për kapjen e dy vëllezërve Klement dhe Eldi Çalës, apo Kelmend Balilit, shpërblime të cilat nuk janë ezauruar, pasi janë vetë-dorëzuar dhe ndaluar nga blutë.
Këtë vit policia nisi një praktikë të re për të bërë publike 50 emrat që janë subjekt i njësisë FAST që ka në fokus kapjen e personave në kërkim, por lista u ndërpre.
Emri i parë që u bë publik i kësaj njësie ishte Dritan Syziu i dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa më pas lista u ndërpre tek emri i 31, ai i Besnik Lamçja, i dënuar me 25 vite heqje lirie.
Krahas këtyre emrave, policia e shtetit ka një listë të gjatë me personat e shpallur në kërkim.
Në faqen zyrtare të policisë së shtetit, ekziston një listë me 635 emra, të cilët kërkohen prej vitesh, për vepra penale të rënda nga më të ndryshmet.