Osmani nga Tirana: Serbia ka kryer genocid në Kosovë, kjo është e vërteta.Shqipëria të jetë zëri ynë ku nuk kemi zë

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ripërsëriti nga Tirana zyrtare të vërtetën e madhe të luftës në Kosovë që sipas saj po tentohet të manipulohet.

Serbia ka kryer genocid, krime lufte dhe kruime kundër njerëzimit në Kosovë, deklaroi Osmani, dhe jo anasjelltas.

E për ti dhënë zë kësaj të vërtete, Osmani kërkoi Shqipërinë në krah.

Osmani: Dhe tani është përplot sfida rruga jonë tutje kur pra syve tanë po tentohet të përmbyset e vërteta. E vërteta është se në Kosovë është Serbia ajo që ka kryer gjenocid dhe krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nuk ka një të vërtetë tjetër dhe këtë të vërtetë e ka parë e gjithë bota mbarë sepse ka ndodhur para syve të botës.

Por në mënyrë që të mos lejojmë që të përmbyset e vërteta ne sërisht kemi nevojë për ndihmën e Shqipërisë, kemi nevojë që Shqipëria të na qëndrojë pranë dhe të jetë zëri ynë aty ku nuk kemi zë, qofshin ata mekanizma rajonalë apo edhe organizata ndërkombëtare ku po tentohet të paraqitet një pasqyrë për Republikën tonë e cila fare nuk ka të bëjë me realitetin.

Diskutuam me zotin President sesi mund ti bëjmë dhe më efektive këto bashkëpunime në aspektin e fuqizimit ndërkombëtar të Republikës sonë sepse përderisa kemi prezencë në disa prej këtyre mekanizmave, Kosova akoma nuk ka ulëse në një numër të madh të organizatave ndërkombëtare dhe aty do të kemi nevojë të intensifikohet ndihma nga Shqipëria dhe në të njëjtën kohë të rritet zëri i Shqipërisë.

Osmani gjithashtu tha se diskutoi me Metën kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën për dënimin e genocidit serb në Kosovë.

Osmani: Kuvendi jonë e ka miratuar këtë deklaratë ku flitet për krimet e kryera nga Serbia dhe kërkohet që përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe është krejtësisht e natyrshme që presim që vendi i dytë që ta bëjë këtë pas Kosovës është Shqipëria.

Jashtë vëmendjes së diskutimeve mes dy presidentëve nuk kanë mbetur dhe ekonomia dhe situata e rëndë me pandeminë në dy shtetet.

Osmani kërkoi bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës për sigurimin e vaksinës anti-Covid.

Osmani: Diskutuam për bashkëpunim në shumë fusha që nga ekonomia deri te menaxhimi i pandemisë. Në dy vendet tona jemi të shqetësuar që sidomos përqindja e qytetarëve tanë që kanë humbur jetën nga ky virus i tmerrshëm është shumë i lartë. Ne nuk duhet ti ndalim përpjekjet për menaxhimin e këtij virusi dhe nuk duhet të dorëzohemi para tij.

Diskutuam për rritjen e bashkëpunimit për tu furnizuar për vaksinën anti-Covid, BE do të sigurojë vaksinën vetëm për 20% të popullatës sonë por kjo nuk është e mjaftueshme dhe nëqoftëse bashkarisht si dy shtete punojmë për të siguruar furnizimin për pjesën tjetër të qytetarëve tanë besoj se ky bashkëpunim do të rezultojë me sukses më të madh sesa nëqoftëse funksionojmë ndarazi në këtë aspekt.

Nga ana e tij Meta shprehu solidaritetin me rezolutën dhe këtë gjë e kërkoi edhe nga institucionet e tjera shqiptare.

Meta: Dua të shpreh solidaritetin më të plotë me rezolutën e Kuvendit të Kosovës që dënonn genocidin serb të ndodhur në Kosovë dhe është një moment për të kërkuar drejtësi deri në fund për të gjitha viktimat e këtij genocidi dhe të kësaj dhune pasi ende e dimë që vrasësit e vëllezërve Bytyçi janë të lirë dhe gëzojnë dhe mbrojtje të veçantë dhe pse ka një rezolutë të Kongresit amerikan për këtë çështje. Por dimë edhe mijëra raste të dhunimeve dhe përdhunimeve të ndodhura në Kosovë dhe të pagjeturve ende. Besoj se të gjithë institucionet e Shqipërisë do të tregojnë solidaritetin e tyre.