Sindikata e policisë thirrje SHÇBA-së: Të hetohen policët dhunues, përgjegjësia individuale
Dhuna e shkaktuar nga policia në protestat e javës së fundit sipas Sindikatës së Policisë duhet të jenë objekt kryesor i punës së SHÇBA-së. Kreu i Sindikatës, Sadetin Fishta, shprehet se janë shkelur të drejtat e njeriut nga policia.
Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit, kërkon nga autoritetet të nisin hetimet ndaj efektivëve të cilët kanë ushtruar dhunë në pesë protestat e mbajtura nga të rinjtë gjatë javës së fundit.
Sadetin Fishta shprehet se gjatë shoqërimeve të protestuesve janë shkelur të drejtat e njeriut ndaj duhet që përgjegjësit të dalin para ligjit.
Fishta: Ka pasur raste edhe të shkeljes së këtyre të drejtave. Edhe raporti i Avokatit të Popullit flet për këto. Me raportin e Avokatit të Popullit, SHÇBA duhet të nisë hetimet qoftë disiplinore apo penale për cilindo punonjës policie që shkel ligjin.
Fishta thotë se policia duhet të jetë më paqësore pasi e drejta e protestës nuk duhet mohuar.
Fishta: Çdo qytetar ka të drejtën e vet, ka të drejtë të protestojë, të shprehë të gjithë indinjatën e vet për çdo shkelje të drejtave të tyre. Të gjitha grupet e interesit kanë të drejtë të protestojë dhe policia njëkohësisht ka të drejtë të zbatojë ligjin.
Për kreun e Sindikatës, vrasja e të riut nga efektivi i policisë duhet të hetohet në mënyrë të pavarur pasi sipas tij hetimet paraprake nuk kanë qenë në përputhje me ligjin.
Fishta: Marrja në dorë nga prokuroria e këtij hetimi është një veprim i drejtë ligjor që i takon prokurorisë dhe policia e shtetit ka vetëm detyrimin të ofrojë dhe dokumentojë të gjithë skemën e zhvillimit të ngjarjes dhe krimit dhe ti paraqesë ato në prokurori nëpërmjet oficerit të policisë gjyqësore.
Sindikata e policisë ndër të tjera shprehet se dorëheqja së ish-ministrit Lleshaj duhet të pasohej dhe me dorëheqjen e drejtuesve të policisë.