Shabani: Synohet mbyllja e gojës, regjimet autoritare kalojnë nga propaganda te dhuna
Në një intervistë me Skype nga Oxford për gazetarin Xhoi Malësia në RTV Ora, aktivisti dhe pedagogu Endri Shabani ka komentuar protestat e ditëve të fundit në Tiranë e në Shqipëri dhe debatet që i kanë pasuar.
Sipas tij, siç ndodh në të gjitha regjimet autoritare, edhe në Shqipëri është kaluar nga propaganda te dhuna si mënyra e vetme për të ruajtur pushtetin.
Endri Shabani: “Ajo që ka ndodhur është tejet e pritshme. Kemi përballë një regjim që dalëngadalë humbet legjitimitetin. Mos harroni që Edi Rama është një nga aktorët politikë, të cilët për 20 vite kanë punuar me propagandë. Por vjen një farë pike kur propaganda nuk të nxjerr nga varfëria, nuk të nxjerr nga problemet themelore sociale strukturore që ka shoqëria shqiptare dhe sigurisht në një situatë të tillë hiqet dorë nga propaganda, hiqen maskat dhe kalohet në represion.
Në këtë situatë represioni sulmohen ata që reagojnë, ata që akuzojnë. Sulmohen mediat, siç ju jeni një nga rastet. Synimi është të mbyllet goja dhe të nënshtrohesh. E njëjta gjë që ndodh me të gjitha regjimet autoritare, nga propaganda kalohet te dhuna. E vetmja mënyrë për të qëndruar në pushtet".