Operacioni anti-drogë/ Gjykata e Vlorës le në burg 27 të arrestuar, njërin "e shpëton" Covid-i
Dosja e kultivimit të kanabisit në jug të vendit mbushi plot me të akuzuar gjykatën e Vlorës. Nga 32 që u njohën me masën e sigurisë, 27 mbetën në burg pas një seance që shkeli të gjitha rregullat kundër përhapjes së koronavirusit. Masa ndryshoi vetëm për një të arrestuar i cili u konfirmua se ishte tashmë i prekur nga Covid 19.
Dyshimet se është i prekur nga koronavirusi shpëtuan nga qelia një nga 28 të arrestuarit për kultivimin e bimëve narkotike në qarkun e Vlorës.
Ismet Hyseni nuk u paraqit në seancën ku gjyqtarja Elona Mihali vendosi ti ndryshojë masën e sigurisë në arrest shtëpie.
Kjo masë e lehtë u caktua edhe për 4 persona të tjerë mes të cilëve Ritiana Duro dhe Mbarime Ruko nga Gjirokastra.
27 të arrestuarit e tjerë, mes të cilëve edhe efektivi i policisë së Himarës, David Fakaj, gjykata i la në qeli.
Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kultivonin lëndë narkotike në zonat malore të bashkisë Vlorë, asaj të Himarës e Sarandës.
Ndërsa 6 drejtues e efektivë të komisariatit të Himarës, kryetarë të fshatrave dhe inspektorë pyjesh akuzohen për shpërdorim detyre.
Në total në dosjen e prokurorisë janë 47 persona nën akuzë.
Një efektiv policie është ende në arrati, ndërsa 4 janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen me masën detyrim paraqitje.
Edhe pse që në nisje avokatët e të akuzuarve ngritën alarmin e rrezikut të koronavirusit, gjyqtarja nuk e mori parasysh kërkesën që masat të jepeshin në grupe të vogla.
Seanca u mbajt ne kushte dukshëm në shkelje të vendimit të qeverisë që ndalon grumbullime të më shumë se 10 personave.
Ndërsa jashtë gjjykatës qëndruan familjarët, po ashtu grumbull.
Operacioni "Hapësira" ishte finalizim i një hetimi 6 mujor, kohë gjatë të cilës u asgjësuan 12.144 bimë cannabis sativa dhe janë sekuestruar 120.9 kg në gjendje të thatë, e gatshme për tu shitur.

Dy ditë më parë policia zhvilloi një aksion të gjerë kundër kultivimit të lëndëve narkotike në fshatrat e lumit të Vlorës dhe përgjatë bregdetit. Nga ky operacion u arrestuar 27 persona, 10 të tjerë janë lënë në masën “Arrest shtëpie” dhe 4 i kanë shpëtuar prangave.
Policia gjithashtu sekuestroi edhe 120.9 kg kanabis sativa të gatshme për tu shitur dhe 12.144 rrënjë bimë.
Mes të arrestuarve ka policë, kryepleq fshatrash si dhe drejtues e efektivë të policisë.
Lexo edhe:
FNSH aksion në fshatrat e Vlorës: Sekuestrohet mbi 120 kg drogë, ka 41 të arrestuar