Vasili: 25 vjeçarit i morën jetën dhe tentuan t'i ngarkonin dhe përgjegjësinë për këtë gjë

Në një intervistë për Ora News, Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili tha se një fakt i rëndë është manipulimi sistematik me deklaratat e njëpasnjëshme të policisë duke u përpjekur për t'ia ngarkuar dhe përgjegjësinë për vrasjen, 25 vjeçarit.

Petrit Vasili për Ora News: Një fakt tjetër shumë i rëndë, ishte manipulimi sistematik me deklaratat e njëpasnjëshme, njëra më mashtruese sesa tjetra. Në gjithë botën momenti më delikat i policisë është komunikimi i parë publik pas ngjarjes së rëndë që ka ndodhur. Dhe gjithë policitë e globit mendohen gjatë për të qenë sa më afër të vërtetës dhe as që çojnë nëpër mëndje të manipulojnë të vërtetën ndërkohë që çështja është në hetim. Ne patëm njërën poshtërsi pas tjetrës, se viktimës përveç se i morën jetën, t'i ngarkonin dhe përgjegjësinë për këtë gjë. 

Vasili komentoi dhe protestat e zhvilluara duke thënë se janë një ndëshkim i opinionit publik për mënyrën e pabesë e të poshtër sesi pushteti përdor fuqinë e tij kundër vetë popullit.

Petrit Vasili për Ora News: Janë katër ditë që nuk janë as më shumë, as më pak se një ndëshkim i opinionit publik për mënyrën e pabesë të poshtër sesi pushteti përdor fuqinë e tij por përdor dhe paratë që taksapaguesit paguajnë kundër vetë popullit. Akti i vrasjes së të riut 25 vjeçar është unikal në 30 vjet pluralizëm. Kjo ndodh vetëm e vetëm prej inspirimit arrogant që 'bëni ç'të doni','mos u shqetësoni', 'keni mbështetjen tonë' dhe ky  është fakt publik.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online E.P