Si veproi policia?! Debate për përdorimin e gazit lotsjellës në protestë, ja çfarë parashikon ligji
Përdorimi i gazit lotsjellës për të shpërndarë turmën të mërkurën në protestën para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme riktheu dhe njëherë në vëmendje rastet e përdorimit të forcës nga policia për të shpërndarë turmat. Dhjetra episode të tilla janë parë në protestat e dy viteve të fundit, që vënë në dyshim faktin nëse sjellja e policisë ka qenë korrekt, në një kohë që ligji përcakton që para përdorimit të forcës duhet paralajmëruar.
Bulevardi "Dëshmorët e kombit", veçanërisht sheshi para Kryeministrisë njihet si një nga vendet që ka regjistruar përplasjet me të forta mes policisë dhe protestuesve.
Janë jo të pakta episodet ku situata ka agravuar, duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmave.
Sipas policisë e vetmja mënyrë për të shpërndarë protestuesit që u tubuan pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, ishte përdorimi i gazit lotsjellës.
Fillimisht Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përdorën sprajn djegës por menjëherë u përdor dhe shpërndarja me gaz lotsjellës.
Përdorimi i forcës sipas ligjit të policisë bëhet kur të gjitha masat e tjera janë të pasuksesshme dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.
Punonjësi i policisë duhet të paralajmërojë se do të përdorë forcën para përdorimit të saj.
Në protestën e së mërkurës kjo gjë nuk ka ndodhur. Në të njëjtin ligj thuhet se ky paralajmërim mund të mos kryhet nëse rrethanat nuk e lejojnë, veçanërisht kur përdorimi i menjëhershëm i forcës është i nevojshëm për të parandaluar një rrezik real dhe të çastit.
Gazi lotsjellës është përdorur pasivisht gjatë protestës së opozitës, ku kërkohej largimi i kryeministrit Rama dhe krijimi i qeverisë teknike.
Përgjatë dy viteve të fundit edhe Ministria e Brendshme është kthyer në qendër të protestave, ndaj të mërkurën FNSH përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët u zhvendosën tek sheshi "Skënderbej".
Në këtë shesh është përdorur gaz lotsjellës dhe më 17 maj kur u shemb godina e Teatrit.
Përveç shpërndarjes së turmës, policia përdori gaz lotsjellës dhe për të nxjerrë nga nga shtëpitë, banorët e Unazës së Re.
Gazi lotsjellës nuk ka munguar as tek Bregu i Lumit, ku efektivët shpërndanë banorët që tentuan të pengojnë shembjen e banesave të tyre.
Një tjetër episod u regjistrua dhe në Rrugën e Kombit, ku qytetarët u përleshën me policinë, ndaj këta të fundit përdorën forcën për të shpërndarë turmat.