Vëllezërit Olldashi me precedent penalë, ky është kanali ku u gjetën trupat e pajetë të tyre
Ky është kanali ku janë gjetur trupat e pajetë të vëllezërve Andrea dhe Martin Olldashi, 33 dhe 31 vjeç.
“Më datë 10.12.2020, rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur “Kisha e vogël”, janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A.O, 33 vjeç dhe M.O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit" njoftoi policia.
Gazetarja e Ora News, Iris Rezhda, raporton se "viktimat janë pikasur nga një banor i fshatit Zvirinë në bashkinë Maliq ndërsa kalonte aty dhe ka parë trupat e pajetë e më pas ka lajmëruar policinë."
Vëllezërit janë banorë të Pogradecit dhe me 7 dhjetor kishin humbur kontaktet me familjen e tyre e cila ka bërë denoncim në komisariatin e Maliqit për zhdukjen e fëmijëve të tyre.
Mësohet se dy vëllezërit janë me precedentë penal. Andrea Olldashi në 2108 është liruar nga burgu. Ai ka vuajtur dëhnimin për vjedhje.
Sakaq burime konfidenciale për Ora News bëjnë me dije se dy vëllezërit ishin përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Nga ana e policisë nuk ka ende një pistë zyrtare ku janë fokusuar hetimet. Janë shoqëruar në polici disa persona që i kanë gjetur vëllezërit e vrarë dhe rrethi i të njohurve të tyre.
Dyshohet se vëllezërit të jenë vrarë diku tjetër dhe më pas trupat e pajetë të tyre janë transportuar drejt kësaj zone ku janë hedhur në kanal.
"Është një zonë larg banesave, të shtëna nuk janë dëgjuar nga banorët. Është një zonë e shkretë, tokë arë" raporton gazetarja e Ora News.
Trupat e pajetë të dy vëllezërve ndodhen në morgun e Korçës ku do ti nënshtrohen edhe ekspertizës mjekoligjore.
"Trupat e pajetë janë gjetur të mbuluar me baltë" raportoi gazetarja Rezhda.
LEXO EDHE: Të larguar nga banesa që në 7 dhjetor, gjenden të vrarë dy vëllezërit nga Pogradeci