"Lleshaj dorëhiqu!" Protesta edhe në Korçë, digjen pemë, gurë e shishe ndaj Bashkisë, plagoset një polic

Me pankarta në duar "Lleshaj dorëhiqu" dhe "Unë jam Klodiani" me dhjetëra të rinj protestuan sot në Korçë fillimisht para policisë dhe më pas u drejtuan drejt bashkisë.

"Qeveri vrasëse, policia vret, duam drejtësi" ishin thirrjet e tyre në kor.

Por parakalimi drejt bashkisë së qytetit nuk shkoi qetë. Protestuesit i vunë flakën pemëve festive, hodhën shishe dhe gurë.

Nuk munguan edhe goditjet me sende të forta ndaj policisë.

Raportohet për tre efektivë të lënduar, njëri prej tyre është dërguar në spitalin e Korçës me dëmtime në kokë por jashtë rrezikut për jetën.

Policia më tej tentoi të zmbrapsë turmën pas. Protestuesit vijuan të qëllojnë me gurë në drejtim të bashkisë.

Por pas kësaj, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërhynë dhe shpërndanë protestuesit pas dy orësh protestë.