Vrasja e Klodian Rashës, reagon Komiteti i Helsinkit: Këmbanë alarmi, Prokuroria të zbardhë dinamikën e ngjarjes
Drejtoresha ekzekutive e Asamblesë së Komitetit shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj në një lidhje live për Ora News e ka cilësuar vrasjen e Klodian Rashës si këmbanë alarmi për sistemin e drejtësisë.
Skendaj ka thënë se Komiteti i Helsinkit ka kërkuar hetim të drejtë për të gjithë dinamikën e ngjarjes, teksa ka shtuar se duhet identifikojë çdo provë.
“Rasti i Klodian Rashës është një kambanë alarmi për sistemin e drejtësisë penale, ndërkohë që po reformohet dhe është shumë e rëndësishme që Prokuroria të ushtrojë përgjegjësitë e veprës penale. Të zbardhë në mënyrë të plotë dinamikën e ngjarjes. Të identifikojë dhe të administrojë çdo provë që hedh dritë mbi përgjegjësinë e autorëve dhe të bëjë kulifikimin e drejtë të veprës penale sipas Konventave Europiane që shteti ynë shqiptar i ka ratifikuar dhe i ka bërë pjesë të shtetit ligjor. Është shumë e rëndësishme që të drejtat e familjarëve të viktimës të respektohen nga organet e sistemit të drejtësisë, sepse edhe këto raste duhet të dëgjohen dhe të informohen për çdo fazë të hetimeve. Është shumë e drejtë kauza e familjarëve për drejtësi”, ka thënë Skëndaj.
Drejtoresha ekzekutive e Asamblesë së Komitetit shqiptar të Helsinkit ka vijuar më tej, duke shtuar se “Pasi u njohëm me lajmin e ndarjes tragjike nga jeta të të riut, edhe pse lajmet kanë qenë të mjegullta për sa i takon qëndrimit që kanë pasur autoritetet. Ajo që ne kemi kërkuar si Komiteti i Helsinkit është një hetim i gjithëanshëm, objektiv dhe i plotë i organeve të sistemit të drejtësisë penale në komfort me nenin 2 të Konventës Europiane që mbron të drejtën e jetës.”
Intervista me gazetaren Siklajda Shorja, përgatiti për online Tea Islamaj.