Pogradec: Vriten dy vëllezërit, trupat e pajetë ishin hedhur në kanalin afër kishës

Trupat e pajetë të dy vëllezërve u gjetën të mbuluar me baltë në një kanal në fshatin Zvirinë të bashkisë Maliq, paraditen e 10 dhjetorit 2020.

Sipas asaj që mëson Ora News, bëhet fjalë për shtetasit Andrea dhe Martin Olldashi, 33 dhe 31 vjeç.

Sipas Policisë, këta shtetas, ishin larguar nga banesa e tyre në Pogradec, që prej mbrëmjes së 7 dhjetorit dhe deri në gjetjen e trupave të pajetë nuk ka patur asnjë informacion për ta.

Trupat e pajetë u gjetën në një kanal afër kishës.

Lexo deshmine: “Kishte vetëm njërën dorë jashtë…” flet punonjësi i Ujësjellësit që i gjeti vëllezërit e vrarë

"Rreth orës 11:50, në fshatin Zvirinë, në afërsi të vendit të quajtur "Kisha e vogël", janë gjetur të pajetë, trupat e vëllezërve A.O, 33 vjeç dhe M.O., 31 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet të kenë humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit" informoi policia.

Në lidhje me këtë ngjarje menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale të strukturave hetimore në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, ndërsa forca operacione nga Korça dhe efektivë të Komisariatit të Maliqit kanë nisur krehjen e zonës.

https://youtu.be/3y58JQg-Guw

Kush janë vëllezërit Olldashi?

Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes së rëndë, ndërsa mësohet se njëri prej tyre, Andrea Olldashi, ka qenë disa herë me burg për vjedhje, kryesisht banesash.

Andrea Olldashi kishte dalë nga burgu në 2018 dhe ishte vendosur në Tiranë ku kishte ngritur një biznes.

Ata kanë qenë të dyshuar si autorë të shpërthimit me tritol më 10 korrik 2012 në lokalin e ish futbollistit Gjergj Leka, 57 vjeç. Burimet nga grupi hetimor bëjnë me dije se ata kanë qenë në hetim dhe për trafik droge e kontrabandë cigaresh por policia nuk ka dalë ende në hetim për vrasjen e dy vëllezërve.

Vëllezërit Olldashi

/a.r, OraNews