Gazetari i JOQ plagoset në protestën për vrasjen e Klodit

Gazetari i “Jeta osh Qef”, Andi Llabuti u godit ndërsa po transmetonte live protestën e Qindra të rinjve e të rejave, që kërkonin dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Gazetari Llabuti, ndodhej pas kordonit të policisë, tek Ministria e Brendshme pak minuta pasi protesta kishte nisur dhe përplasja e parë mes protestuesve dhe forcave të policisë sapo kishte nisur.

Gazetari u rrëzua përdhe ndërsa humbi ndjenjat nga goditja me një mjet të fortë.

Ai ka refuzuar të shkojë në spital, ndërsa menjëherë pas përmirësimit të gjendjes ai ka deklaruar se në asnjë rrethanë nuk do të shkonte në spital.

Isha pas kordonit të policisë, dhe nuk e di ca më erdhi dhe mu duk qielli i bardhe, dhe rashe ne toke, se mora vesh se çfarë ndodhi, por e dëgjova që e lajmëruan ambulancën dhe u thash nuk dua, më mirë vdes këtu sesa shkoj në spital. Nuk e mora vesh nga më erdhi, po i them vetes a je mirë.

Lëndimet e marra nga gazetarët në protestat e viteve të fundit, kanë sjellë edhe reagimin e herë pas hershëm të organizatave ndërkombëtare të gazetarëve, të cilat bëjnë thirrje ndaj institucioneve dhe protestuesve për vetëpërmbajtje dhe shmangie të sulmeve ndaj punonjësve të medias.