Breçani: Kam informacione që efektivët dalin në shërbim pa kamerat e trupit

Ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka thënë se ai ka informacione se shumica e efektivëve të policisë dalin në shërbim pa kamerat e trupit.

Breçani ka vënë në dukje gjatë intervistës për Ora News, se punonjësit e policisë punojnë aktualisht në kushte të këqija pune, ku shton se ka edhe një hetim nga Prokuroria për këtë fakt.

Breçani: Unë kam informacione që shumica e efektivëve dalin pa kamera. Kontrollohen nga sallat operative, një për kamerat lëvizëse që i kanë efektivët në trup dhe për kamerat fikse. Ky projekt është bërë që në 2012, e finalizuan dhe e quajtën suksesin më të madh. Prokuroria ka filluar hetimin se pse nuk funksionojnë. Sot policia kriminale punon në kushte tepër tmerrueshme për të kryer një veprim policor. Nuk kanë karburant, pajisje. Duhet të zbresim në realitet që të shikojnë se çfarë nevojash kanë punonjësit e policisë që të jenë të gatshme për shërbim.