"Këtu ka qindra njerëz të groposur" 84 vjeçari rrëfen ku ndodhen eshtrat e të pushkatuarve të kryengritjes së Postribës
84 vjeçari Prel Doshi është një prej familjarëve të personave të pushkatuar nga komunizmi që po ndihmon kërkimet për ata që ende nuk e kanë një varr.
Ai ka orientuar në pranë varrezave katolike të Shkodrës dhe në brigjet e Kirit, ku dyshohet se ndodhen edhe eshtrat e Jup Kazazit, udhëheqës i kryengritjes antikomuniste të Postribës.
Prel Doshi: Në vitin 1946 janë varrosur një grup i Postribës në këtë vend. Këtu nuk janë pushkatuar jo një apo dy grupë por me qindra grupe dhe në qindra vende ka njerëz të groposur, me siguri janë diku tek 17 ose 18.
Rreth 6000 persona sipas të dhënave u pushkatuan dhe nuk u lejuan të varrosen nga të afërmit. Vetëm 2000 trupa përllogaritet se janë gjetur në 30 vite demokraci në nisma individuale të familjarëve. Ndërsa për 700 të munguar kërkimet janë intensifikuar pasi dëshmitë kanë evidentuar 73 pika në të gjithë vendin ku mund të gjenden eshtrat.
Gentiana Mara Sula, Drejtuese e Autoritetit të Dosjeve: Këto vende në ritmin, në forcat e zhvillimit, demografisë etj po tjetërsohen, ndonëse kjo është kundër ligjit. Është një proces i domosdoshëm, çdo vend tjetër e ka bërë, është i mundur.
Me ndryshimet ligjore të bëra nga parlamenti në korrik të këtij viti, autoriteti i dosjeve duhet të veprojë për të vënë në lëvizje institucionet shtetërore për ngritjen e grupeve të punës që të nisin kërkimet në terren.
Gentiana Mara Sula, Drejtuese e Autoritetit të Dosjeve: Duhet institucioni ynë të hyjë në lojë për të punuar, për të bashkërenduar punën me shumë institucione të tjera.
Nisma e mbështetur nga Bashkimi Europian, merr jetë nga Shkodra si një prej qyteteve më të përndjekura nga regjimi diktatorial.
