Shqipëria mbyll kryesimin e OSBE-së, Rama bën bilancin
Kryeministri shqiptar Edi Rama e quajti të suksesshëm kryesimin një vjeçar të OSBE-së por pranoi se ky mision u vështirësua nga mosmarrëveshjet mes vendeve anëtare dhe pandemia. Në përmbyllje të ministerialit të BE, Rama bëri edhe bilancin e punës së OSBE nën drejtimin e Shqipërisë gjatë 2020.
Rama: Shqipërisë iu desh të merrte përsipër më shumë përgjegjësi sesa çdo kryesues më përpara. Negociuam rritjen e buxhetit për misionin e posaçëm të monitorimit në Ukrainë dhe zbatuam mënyra të reja pune për OSBE. Me një kalim të shpejtë organizata jonë doli në pah në sytë e gjithkujt si adresa e vetme. Ne mund të arrijmë të kemi rezultat dhe tjetërkund përfshirë dhe në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara në vitin 2022 dhe ky është objektivi ynë i ardhshëm.
Shqipëria përfundoi mandatin e saj për t’ia lënë stafetën Suedisë, ndërkohë Rama dha lajmin se fqinji ynë do të drejtojë OSBE-në në 2023.
Rama: Kemi caktuar gjithashtu dhe kryesuesin për 2023, miken dhe fqinjen e ngushtë, Maqedoninë e Veriut. Kryesia nuk është detyrë e lehtë kështu që e vlerësoj vërtetë vendosmërinë për të marrë përsipër e për të treguar që vendet e Europës Juglindore kanë rritur ambiciet ndërkombëtare.
Në ministerialin e këtij fundviti është zgjedhur edhe lidershipi i ri i OSBE-së. Helga Schmid do të jetë në pozicionin e Sekretares së përgjithme, ndërsa detyra për Komisionerin për Lirinë e Medias në OSBE i është besuar Teresa Ribeiros, një post që aspirohej nga ish-ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. Matteo Mecaçi do të drejtojë OSBE/ODIHR ndërkohë që është zgjedhur Komisioneri i lartë për pakicat.