Aleksandër Biberaj: Është detyrë patriotike e çdo qytetari të përmbysë regjimin e Ramës
Aleksandër Biberaj, Anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së nënvizon se detyra e opozitës është të rrëzojë qeverinë Rama të cilën e shikon si një ndër modelet më negative që Shqipëria ka pasur në 30 vitet e fundit.
Në një intervistë për Ora News, Biberaj thotë se Rama nuk duhet të qëndronte në pushtet as 24 orë.
Aleksandër Biberaj për Ora News: Kjo qeverisje vetëm ka përkeqësuar situatën brenda vendit por dhe ato ndërkombëtare. Çdo ditë kemi raporte ndërkombëtare që e nxijnë Shqipërinë siç e ka nxirë kryeministri. Nuk ka asnjë fjalë pozitive. Shqipëria është bërë si Kolumbia e Europës. Ka vetëm propagandë. Është situatë e paimagjinueshme. Ky është modeli më negative që ka pasur Shqipëria gjatë këtyre 30 viteve dhe ndërkombëtarët e dinë shumë mirë. Kudo që të shkelësh zi e më zi po shkon kjo punë. Detyra jonë si opozitë është të rrëzojmë këtë klikë. Ky nuk duhet të qëndronte në pushtet as 24 orë”
“Po të shikosh reagimin e kryeministrit është jashtë kontrollit, Rama me çetën e tij të qeverisjes janë bërë si “qentë e Pavllovit” u mungojnë edhe reflekset. Komplet jashtë kontrollit. E kuptoj reagimin e tij. Më mirë se kushdo e di vetë Edi Rama se pushtetin e ka të humbur por ka frikën përballjes së sistemit të drejtësisë, por ai nuk ka për ti shpëtuar. Çështja e medias është shumë delikate. Rama po kopjon Enver Hoxhën por në kushte të tjera. Po të shikosh edhe stilin e qeverisjes së tij edhe modelin e zgjedhjeve, gjithçka është model i vjetër që shqiptarët do ta refuzojnë më 25 prill. Pa asnjë lloj diskutimi."
Biberaj i bën thirrje qytetarëve të ndërgjegjësohen për të rrëzuar me votë këtë qeverisje e cila sipas tij po e çon Shqipërinë keq edhe më keq.
Aleksandër Biberaj për Ora News: “Këtu kanë rënë dy kolonat bazë, parlamentin e ka në duart e veta, qeverisjen po, sistemin e drejtësisë, dhe median e ka në duart e veta, sepse influence dhe presioni i tij është i jashtëzakonshëm.
Është detyrë intelektuale e patriotike e çdo qytetari të përmbysë këtë regjim. Shqiptarët po varfërohen çdo ditë.
Intervista në studion e Ora News me gazetaren Eneida Ndoci