Tirana-Partizani, ja formacionet zyrtare të derbit të kryeqytetit

Tirana dhe Partizani do të luajnë ditën e sotme duke filluar nga ora 18:00, derbin e kryeqytetit në stadiumin “Air Albania”. Derbi është gjithmonë special.

Shpesh janë tifozët që ia japin mrekullinë, por edhe këtë herë nuk do të jenë të pranishëm.

Ka ndodhur që ta ndezë një “ish”. Ka ndodhur që ta vendosë një trajner. Ka ndodhur që të dominojë një tabu në disa sfida radhazi. Disa vite radhazi. Por ka ndodhur edhe si përmbysja për 5-1, me Egbo që në fund kurorëzoi titullin e 25-të kampion të Tiranës.

Mirëpo, këtë herë do të jetë një përballje e veçantë. Në fokus do të jetë taktika. Dhe në post derbi, filozofia, për të shpjeguar lojën, vendosjen dhe rezultatin. Të dyja skuadrat do të kërkojnë triumfin, pasi favoriti në një ndeshje derbi nuk ekziston dhe në fushë pritet një ndeshje spektakolare.

Për sa i përket formacioneve, te Tirana rikthehet në formacion Kristi Vangjeli, i cili luan në qendër me Najdovskin dhe Hoxhallarin, në skemën 3-4-3. Te Partizani nuk ka ndryshime, teksa Daja i ka besuar të njëjtës 11-she, si ndaj Skënderbeut.

FORMACIONET ZYRTARE:

TIRANA: Bekaj, Vangjeli, Najdovksi, Hoxhallari, Toshevski, Toli, Batha, Ismajlgeci, Danso, Torasa, Muçi. Trajner: Nevil Dede.

PARTIZANI: Hoxha, Idrizaj, Bitri, Belica, Hakaj, Kote, Broja, Bardhi, Solomon, Mala, Kardozo. Trajner: Ilir Daja.

Arbitër kryesor: Juxhin Xhaja.

NDESHJET –

- 157 takime janë luajtur deri tani mes Partizanit dhe Tiranës nga viti 1947 deri në 2020 në të gjitha kompeticionet: Kupë dhe kampionat.

BILANCI –

Partizani ka fituar më shumë se Tirana në derbi, plot 66 ndeshje, ndërsa bardheblutë numërojnë vetëm 42 fitore. 49 ndeshje të tjera kanë përfunduar në barazim.

GOLAVARAZHI –

220 gola ka shënuar skuadra e kuqe, përkundrejt 175 të bardhebluve. Golat e fundit në derbi: Muçi shënoi për bardheblutë dhe Ulliam Melo për të kuqtë, në përballjen e 10 korrikut 2020, që përfundoi në barazim 1-1.