Dabulla: Tirana gaboi në merkato, derbi shans për t’u ngritur

Tirana po kalon një moment delikat në kategorinë superiore duke qenë shumë larg pritshmërive të drejtuesve në start të edicionit të ri. 

Ish-futbollisti i bardhebluve Rezart Dabulla në një intervistë për RTV ORA, analizon kampionët në fuqi.

Sipas tij presidenti Halili ka gabuar në merkato ndërsa afrimin e trajnerit Dede në pankinë e shikon si zgjedhje të zgjuar.

"Rezultatet e kanë treguar se nuk ka funksionuar mirë me ekipe që në letër nuk janë shumë të forta. Shoh një ngërç rezultati por të shpresojmë që ekipi të reagojë dhe të fitojë të paktën derbin. E vetmja gjë e mirë e Tiranës është që ka kthyer Dedën në stol, është njeriu i duhur për të drejtuar një Tiranë në vështirësi. Lojtarë anonimë që nuk i ka njohur njeri duan kohë të ambjentohen. Shoh vështirësi te kjo pjesë, të njëjta gabime si para 2-3 viteve në merkato."

Dabulla i cili e njeh shumë mirë repartin difensiv beson se mbrojtës është thembra e akilit, ndërsa thotë se edhe në sulm mungojnë lojtarët që bëjnë diferencën.

"Puna është se çfarë brumi kemi, e mban flakën apo shuhet shpejt? Ekipi do disa liderë të caktuar. Këtë nuk e bën dot vetëm trajneri, lojtari duhet ta ketë në gen vetë."

Pavarësisht startit të ngadaltë, Dabulla nuk e përjashton Tirana nga ekipet që do të rivalizojnë për titull, por insiston se do ta kenë tepër të vështirë me këtë grup lojtarësh.

"Nuk jam totalisht i zhgënjyer, ata që duhet ti vënë gishtin kokës, ti vënë gishtin kokës.  Pikët ikin, të mos distancohemi shumë. Duhet të rregullojmë imazhin dhe të kënaqim tifozët. Për ta derbi është jetik."