Koronavirusi i merr jetën ish-kryebashkiakut të Elbasanit

Koronavirusi i merr jetën ish-kryebashkiakut të Elbasanit Engjëll Dakli. Ai po kurohej në Turqi pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar por nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë sot, në moshën 66-vjeçare.

Dakli, inxhinier me profesion, ka mbajtur postin e kryetarit të bashkisë Elbasan në vitin 1996-2000 nën siglën e Partisë Demokratike.

Në dhjetor të 2015, Bashkia e Elbasanit asokohe e drejtuar nga socialisti Qazim Sejdini i dha titullin  “Qytetar Nderi”   me motivacionin “Për kontribute të shquara si Kryetar i Bashkisë Elbasan në vitet 1996-2000 për modernizimin e qeverisjes vendore dhe për projekte për zhvillimin rajonal të Elbasanit.

Për ndarjen e tij nga jeta reagoi deputeti socialist për Elbasanin, Taulant Balla.

Balla: Elbasani humbi sot Engjëll Daklin, një personalitet të rëndësishëm, i cili në vitet e para pas ndryshimeve demokratike, u zgjodh deputet, ministër dhe kryetar i Bashkisë Elbasan (1996-2000).Elbasani do ta kujtojë gjithmonë si qytetarin e vet të nderit, me kontribut të spikatur në modernizimin e qeverisjes vendore dhe për projektet që inicijoi për zhvillimin rajonal të Elbasanit. Engjëll Dakli ishte një politikan i moderuar dhe bashkëpunues në dobi të zhvillimit të Elbasanit.Ngushëllime të sinqerta familjes së nderuar Dakli!

Edhe kreu i Shtetit, Ilir Meta, e vlerësoi punën e ish-ministrit të Punës dhe ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Ëngjëll Dakli.

Meta: Me hidhërim mësova lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të ish-ministrit të Punës dhe ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Ëngjëll Dakli.Në këto momente tepër të vështira, ju shpreh ngushëllimet e mia dhe ndodhem pranë familjes, të afërmve e kolegëve, që humbën sot njeriun dhe mikun e tyre të dashur! Ëngjëll Dakli, përfaqësues dinjitoz i një familjeje fisnike me tradita qytetare dhe demokratike, do të kujtohet përherë me nder, respekt e mirënjohje, si një qytetar model dhe i përkushtuar, intelektual kalibri dhe mbi të gjitha si një nëpunës i ndershëm i shtetit, që aq shumë e deshte përparimin e Shqipërisë dhe që me aq pasion punoi për modernizimin e qeverisjes vendore të Elbasanit. U prehtë në paqen e merituar!

Ndërsa  kryedemokrati Lulzim Basha shkruan se Elbasani humbi qytetarin e tij të parë ndërsa PD një aktivist të shquar dhe me kontribut të madh.

Basha: Me hidhërim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Ministrit, ish-deputetit dhe ish-Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, z. Engjëll Dakli.  Ngushëllimet e mia më të ndjera dhe lutjet e mendimet e mia janë me bashkëshorten Ortenca, djemtë Anrin dhe Martinin dhe miqtë e tij të shumtë. Me ikjen e Ëngjëll Daklit, Elbasani humbi qytetarin e tij të parë ndërsa Partia Demokratike një aktivist të shquar me kontribut të madh në qeverisjen qendrore e lokale. U prehtë në paqe.

Nga Covid-19 sot ka humbur jetën dhe një 65-vjeçar nga Elbasani i shtruar prej ditësh në spitalin Covid 2 në kryeqytet.