Ish-bashkëshorti i dënuar në Itali për drogë, 49-vjeçares në Fier i sekuestrohen 1.5 milion euro pasuri

Një bar-restorant, apartamente dhe një automjet me vlerë 1.5 milionë euro janë vënë nën sekuestro nga policia e Fierit, pasi dyshohet se janë krijuar me fitime të ardhura nga aktiviteti kriminal. Pronari i tyre dyshohet të jetë një i dënuar në Itali ndërkohë që asetet ishin hedhur në emër të ish-gruas.

Gjykata e Fierit ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri me vlerë 1.5 milionë euro të cilat kanë rezultuar se janë në pronësi të një personi të dënuar në Itali me 14 vjet burg.

Asetet të cilat janë vendosur nën sekuestro preventive dyshohet se janë produkt i veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, për të cilën shtetasi Shaban Zenaj, i ekstraduar në Itali, është dënuar nga autoritetet atje me 14 vjet burg.

Nga hetimi ka rezultuar se të gjitha asetet i dënuari i kishte hedhur ne emër të ish-bashkëshortes së tij Rudina Zenaj.

Sipas listës së publikuar nga policia, pasuritë e sekuestruara janë një bar-restorant në Skelë të Vlorës, dy apartamente, një në Vlorë dhe një në Pogradec, si dhe një automjet tip “Benz”.

Vendimi për sekuestron u dha nga Gjykata e shkallës së parë të Fierit që me datë 26 nëntor, ndërsa ekzekutimi u krye këtë të premte.

Shaban Zenaj u arrestua në maj të vitit 2015, në qytetin e Vlorës, pasi ndodhej në kërkim nga autoritetet italiane pasi Gjykata e Apelit Milano në Itali, më 03 shkurt të 2015-ës, kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtarë.

Arrestimi i tij u realizua në një lokal luksoz, për të cilin u ngritën dyshime që në atë kohë që ishte në pronësi të tij.

Sekuestroja preventive nga ana e autoriteteve u bë i mundur në kuadër të operacionit të koduar “Kuadrati”, ndërsa policia deklaron se po vijojnë hetimet dhe verifikime për evidentimin e pasurive të tjera që mund të jenë në emër të këtij shtetasi dhe personave të lidhur me të.

Në qershor të këtij viti 51-vjeçarit iu dërgua formulari nga agjentët e Operacionit Forca e Ligjit, ku iu la kohë familjarëve për të vërtetuar burimin e të ardhurave të Zenajt brenda 48 orëve.

Janë sekuestruar pasuritë si më poshtë

• Një bar restorant në Skelë, Vlorë;

• Një apartament në Vlorë;

• Një apartament në Pogradec;

• Një automjet tip "Benz".