"Fati na vendosi në anët e kundërta të barrikadës, por nuk e cënoi miqësinë", Patozi e Basha shprehin ngushëllime për Marko Bellon

Kreu i Partisë Demokratike ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist, Marko Bello.

Në një postim në twitter, Basha thotë se Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit.

Basha: Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Marko Bello. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Bello për humbjen e babait dhe bashkëshortit të përkushtuar, dhe të gjithë miqve dhe kolegëve që humbën të afërmin dhe mikun e tyre të dashur.Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit. U prehtë në paqe!

Edhe kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, ka shprehur trishtimin për humbjen e Bellos, të cilit i referohet si mik i veçantë.

Patozi kujton se me Bellon u njohën kur asnjëri prej tyre nuk merrej me politikë.

Pak vite më vonë, vijon Patozi,  koha apo fati i vendosi në dy anët e kundërta të barrikadës por kjo nuk e cënoi miqësinë.

Patozi: Me Marko Bellon jemi njohur, kur asnjëri prej nesh nuk merrej me politikë, ndaj edhe nuk kishin shumë arsye për të pasur mosmarrëveshje dhe, aq më pak, për t'u grindur.Pak vite më vonë koha apo fati na vendosi në dy anët e kundërta të barrikadës. Dhe kjo jo vetëm nuk e cënoi miqësinë, por jam i sigurt se e shtoi mirëkuptimin dhe respektin midis nesh. Kam bindjen se merita kryesore për këtë lloj marrëdhënieje, që haset kaq rrallë në viset tona të ashpra, i takon atij. Sot mësova me trishtim se Marko u nda nga kjo botë, pas një beteje të gjatë me armikun e padukshëm, të cilin ende një pjesë prej nesh nuk e pranojnë se ekziston. Ndoshta ikja e parakohshme e një shqiptari të njohur dhe të mirë mund të shërbejë që kjo shoqëri ta marrë pak më seriozisht këtë pandemi të flamosur, që nuk po kursen askënd.