Transportonin sirianë, pranga dy trafikantëve

Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga dy persona teksa po transportonin klandestinë.

Arrestimi është kryer në orët e para të mëngjesit të sotëm ku punonjësit e policisë zbuluan rrugëtimin e tyre me automjet në aksin Gjirokastër-Kakavijë, në afërsi të fshatit Haskovë.

Menjëherë janë arrestuar Sokrat Dedaj nga Mirdita dhe Stiljan Bakiu nga Kuçova, të cilët po transportonin disa shtetas sirianë të cilet kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër dhe me destinacion final Malin e Zi.

"Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve S. D. dhe S. B, të cilët u kapën në afërsi të fshatit Vanistër, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip "Volkswagen”". 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.