Ndalimi i tubimeve elektorale, Mediu ankesë në Kushtetuese: Të shfuqizohet, krijon pa barazi

Partia Republikane ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e aktiviteteve dhe tubimeve politike. Fatmir Mediu  e cilëson të padrejtë këtë masë të vendosur nga Komiteti i Ekspertëve,  në një kohë kur sipas tij ka dy standarde, pasi Kuvendi po funksionon normalisht, ndërsa opozita nuk bën dot fushatë.

Partia Republikane e cilëson antikushtetuese vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë që ndalon tubimet politike, per shkak të Covid.

Për këtë çështje ka dorëzuar padi në gjykatë, ndërsa kryetari Fatmir Mediu tha se kjo e ka vënë opozitën në kushtet e pabarazisë pasi sipas tij mazhoranca i ka të gjitha kushtet për të zhvilluar aktivitetin e saj politik dhe kjo tha ai duket hapur kur kryeministri  ka nga 40 persona nga mbrapa.

Mediu: Vendimi për ndalimin e aktiviteteve politike bie ndesh me Kushtetutën, krijon pabarazi politike në një kohë që jemi në proces zgjedhor. Partive politike u mohohet kjo e drejtë dhe më problematike është mungesa e barazisë. Sot kemi përcjellë në Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për të hedhur poshtë një vendim që ndihmon manipulimin që tashmë ka filluar në mënyrë të njëanshme dhe të qëllimshme.

Sipas republikanëve, sjellja në raport me aktivitetet e opozitës është shumë e ndryshme në krahasim me ato që bën sot qeveria apo institucione të tjera në varësi të saj.

Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale, por Mediu shpreson që shumë shpejt situata do të zhbllokohet dhe vendimi i Komitetit të Ekspertëve do të shfuqizohet.

LEXO EDHE

Mediu: Ndalimi i takimeve politike shkel liritë e njeriut