Vrasja e Ridvan Ramazanit në Shkodër/Lirohen dëshmitarët, i dyshuari në qeli por mohon akuzat: Isha në kohën e vendin e gabuar

25-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e 46-vjeçarit Ridvan Ramazani Hyseni të shtunën ka mohuar akuzën në gjykatë. Milkjor Gjoka, ka thënë se u gjend në vendin e gabuar në moment të gabuar, por s'ka lidhje me Hydajet dhe Duel Mehmedaj, dy vëllezërit e dyshuar si ekzekutorë. Megjithë këto pretendime, ai mbeti në qeli, ndërsa gjykata liroi dëshmitarët.

Milkjor Gjoka, 25-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor i vëllezërve Hydajet dhe Duel Mehmedaj në ekzekutimin e 46-vjeçarit Ridvan Ramazani Hyseni, të shtunën (28 tetor) në Shkodër, ka mohuar akuzat në gjykatë.

Në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë ku mbeti në burg, i riu deklaroi se ai u gjend në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar!

Milkjor Gjoka: Nuk kam asnjë lidhje me vrasjen. Jam rastësisht në vendin e ngjarjes. U ndodha në vendin e gabuar, në momentin e gabuar! Nuk kam bashkëpunuar me vëllezërit Mehmedaj.

Por 25-vjeçari është treguar i rezervuar në sqarime rreth dinamikës së krimit, që sipas policisë ndodhi ndërsa Ridvan Ramazani kishte takuar dy vellëzërit Mehmedaj për të sqaruar një konflikt me të birin.

Ndërsa dy punonjësit e karburantit afër vendit të ngjarjes, Blerim Mlloja dhe Marieta Gramshi, të cilët akuzohen për moskallzim krimi do të hetohen në gjendje të lirë.

Me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi për ta masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Edhe këta të fundit gjatë marrjes në pyetje në polici por edhe në gjykatë, janë treguar të rezervuar në detaje, pasi mund ti tremben hakmarrjes së mundshme.

Duel dhe Hydajet Mehmedaj, dy autorët e dyshuar të vrasjes ndërkohë mbeten në arrati.

Kërkimet e Policisë dhe forcave Speciale nga Tirana kanë dështuar ti vënë në pranga.

Ridvan Ramazani u ekzekutua në makinën e tij pranë një karburanti në fshatin Mushan të Shkodrës.

LEXO EDHE: Vrasja e Ridvan Ramazanit/ Zbardhen emrat e autorëve, arrestohen edhe punonjësit e karburantit

https://youtu.be/2Li4E4kqCng