Dimri erdhi me dëborë, zbardhet verilindja, bien temperaturat në të gjithë vendin

Dimri erdhi me reshje dëbore në verilindje, ndërsa temperaturat shënuan rënie në të gjithë vendin. Reshjet e para u shënuan në Kukës, Tropojë e Has, nga ku nuk ka raportime për probleme.

Dëbora shënoi zyrtarisht nisjen e stinës së dimrit në verilindje.

Ndonësë me intensitet të ulët, reshjet nisën gjatë natës në lartësitë mbi 400 metra në Kukës, Has e Tropojë.

Në mëngjes, trashësia e dëborës varionte nga 1 deri në 4 cm.

Këto pamje vijnë nga fshati Shishtavec në Kukës.

https://youtu.be/iTiFzU06gps

Mali i Gjallicës e Kotetnikut po ashtu ishin zbardhur.

Reshjet kishin zbritur edhe në shpatet malore të rrugës së Kombit, por pa problem për lëvizjen në rrugë.

Lëvizja vijoi normalisht edhe në rrugët rurale në të gjithë qarkun e Kukësit, nga ku nuk pati raportime për problematika të krijuara nga bora.

Por drejtuesit e mjeteve këshillohen të pajisjen me goma dimërore dhe të respektojnë sinjalistikën për të shmangur rrezikun e aksidenteve.

Ndërsa në verilindje ka dëborë, pjesa tjetër e vendit pritet të karakterizohet nga temperatura të ulta dhe reshje shiu.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë ulje në mëngjes dhe do të shoqërohen me luhatje vlerash nga -3 deri në 14 gradë celcius.

Era do të fryjë lehtë në tokë dhe mesatarisht në det duke krijuar dallgëzim 4 ballë.

Reshje bore janë regjistruar edhe në Prishtinë dhe zona të tjera të Kosovës por pa krijuar probleme në qarkullimin e mjeteve.

Më poshtë foto nga Kosova.