Vazhdon horrori te "Shefqet Ndroqi", i katërti pacient që hidhet nga ky spital, i pesti në spitalet Covid
Një 60-vjeçar i infektuar me koronavirus është vetëflijuar mëngjesin e të hënës (30 nentor) në ambientet e spitalit “Shefqet Ndroqi”. Pacienti nga qyteti i Kurbinit po kurohej në këtë spital prej dy ditësh. Në një reagim të tyre, drejtuesit e Senatoriumit thonë se rasti po hetohet, ashtu si edhe 4 rastet e mëparshme.
Një 60-vjeçar është pacienti i 5 i infektuar me Covid-19 që vetëflijohet nga ambientet spitalore.
Ai ndodhej i shtruar prej dy ditësh në ambientet e spitalit "Shefqet Ndroqi".
Leonard.S nga Kurbini ndërmori aktin e rëndë pas mesnate, rreth orës 00:30, të 30 nëntorit, duke u hedhur nga dritarja e dhomës e katit të dytë të spitalit Covid-2 në Tiranë.,
Pacienti ishte infektuar prej 10 ditësh, ndërsa më datë 28 nëntor është sjellë për të marrë ndihmën mjekësore.
Pas shtrimit të tij në spital, bluzat e bardha mësohet se kanë kryer ekzaminimet imazherike, ndërsa pacienti ka marrë mjekimin në pavionin e urgjencës.
Burime spitalore bëjnë me dije se 60-vjeçari jetonte i vetëm dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Kjo konfirmohet dhe nga të njohurit në qytetin e lindjes.
"E kam njohur rreth viteve '97-'98, ka qenë në një periudhë kohe oficer policie. Dhe di që ka qenë një burrë me sjellje shumë korrekte dhe shumë normale. Nuk e di se cilët kanë qenë shkaqet vetëm di që u largua nga puna dhe pas largimit nga puna u divorcua nga bashkëshortja. Pastaj nuk kam pasur konktate. Këto kohët e fundit ka jetuar vetëm sepse bashkëshortja dhe fëmijët ikën në Greqi".
Hetimet
Ndërkohë ne një reagim publik, stafi i spitalit “Shefqet Ndroqi” tha se janë rritur masat e sigurisë, dhe pacientëve u janë vënë në shërbim psikologë për ti asistuar gjatë trajtimit mjekësor.
Rasti po hetohet nga organet kompetente, ndërsa policia mësohet se ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit dhe ka marrë në pyetje mjekët e turnit për të zbardhur ngjarjen.
Verifikime janë duke u kryer dhe nga prokuroria jo vetëm për rastin e kësaj të hënë, por dhe për 4 rastet e tjera.
Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se për të vetmin rast që janë ndërprerë hetimet ka qenë vetëvrasja e 65-vjeçarit, Hasan Mira, nga Klosi, pasi nuk është konstatuar pakujdesi në mjekimin e pacientit.
Këtë të hënë në spitalin Covid-2, të gjithë shtretërit janë të ezauruar, ndërsa 2 ambulanca qëndrojnë jashtë me pacientë të infektuar.
LEXO EDHE: U hodh nga Infektivi, ndërron jetë 69-vjeçari nga Fieri