"Mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politikë" Meta kthen ligjin për “policinë e shtetit”

Presidenti Ilir Meta kthen në Kuvend ligjin nr. 133/2020 për “Policinë e Shtetit”

Në argumentet e presidencës thuhet se “Ligji krijon hapësira për të gjurmuar dhe mbikëqyrur çdokënd përgjatë procesit zgjedhor

“Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit e tyre” thuhet në 15 faqet e arsyeve të kthimit të ligjit në Kuvend.

Dekreti me nr 11841 që kthen në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar”, mban datën 20 nentor 2020.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin në seancën plenare të datës 29.10.2020. Ky ligj me shkresën me nr. 2826 prot., datë 03.11.2020 të Kuvendit, iu përcjell Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.

Presidenti konstaton

  • Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke cenuar pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  • Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara ngë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me grancitë për ruajtjen e privatësisë;
  • Rrezikon ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve të drejtësisë, dhe ta vërë nën presionin qeveritar gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor, nën urdhrat e vullnetit politik, duke cenuar edhe pavarësinë operacionale të saj;
  • Shkakton trajtim të pabarabartë dhe pasiguri për vendin e punës, për punonjësit e Policisë së Shtetit, duke sanksionuar lëvizjen e tyre në pozicione të tjera, edhe pa miratim paraprak, me pasojë humbjen e përftimeve që kanë prej statusit të veçantë për shkak të detyrës.