Pezullohen nga detyra shefi i komisariatit Skrapar, shefi i Poliçanit dhe 3 inspektorë
Dy shefa policie dhe tre efektiva të rolit bazë janë pezulluar nga detyra në policinë e Skraparit për shkak të parcelave me kanabis.
Implikimi i efektivëve të policisë në mënyrë direkte apo indirekte në kultivimin e kanabisit është kthyer në një problem shqetësues për policinë e shtetit dhe është pranuar edhe nga vetë ministri I brendshëm Sandër Lleshaj.
Pas deklaratës së ministrit drejtoria vendore e policisë Berat ka marrë masat e para, për punonjësit e policisë të cilët nuk kanë përmbushur detyrat funksionale në kuadër të planit për parandalimin e kultivimit të kanabisit.
Burimet bëjnë me dije se janë pezulluar nga detyra shefi i komisariatit të Skraparit, shefi i stacionit policor të Poliçanit, një inspektor zone dhe dy efektivë të tjerë.
Pezullimi i tyre është bërë pak ditë më parë për shkak të disa bimëve të gjetura në sasi të vogla në zona të ndryshme të thella malore.
Krahas pezullimit ka nisur edhe hetim disiplinor. Efektivët e pezulluar janë zëvendësuar nga kolegë të tjerë, ndaj në ditët në vijim pritet të marrin detyrën.
Nga fillimi i vitit janë marrë masa disiplinore për 15 efektivë të tjerë në këtë pasi me mos veprimet e tyre kanë favorizuar kultivimin e lëndës narkotike.
Për mos përmbushje të detyrave funksionale, gjatë verës u pezulluan dhe u ndëshkuan me masë disiplinore dhe 26 efektivë të tjerë në Shkodër dhe Vlorë.
Përgjatë vitit ka patur një numër të lartë të policëve të arrestuar e proceduar, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me krimin.