"Të shmangim mbylljen e përgjithshme" A rrezikojmë mbylljen e shkollave? Ja si përgjigjet Rama
Kryeministri Edi Rama përcolli një mesazh qetësues për prindërit duke deklaruar se shkollat nuk do të mbyllen pasi nuk janë vatër e infeksionit me Covid-19, por apeloi për një vëmendje të shtuar nga ana e stafit pedagogjik lidhur me respektimin e masave.
“Duke i mbyllur shkollat i bie për shkurt, por nga ana tjetër pasojat psikologjike te fëmijët janë të konsiderueshme. Se çfarë hapet dhe se çfarë mbyllet kjo është përgjegjësi e autoriteteve”, ka thënë ai.
Gjatë konferencës online me gazetarët, Kreu i Qeverisë iu bëri të qartë që me sjelljen e tyre, kanë në dorë izolimin ose jo të vendit.
“ Të shmangim mbylljen e përgjithshme. Një mbyllje e cila do të kishte patjetër edhe pasoja të padëshirueshme në të gjitha aspektet.”
Absurde i ka quajtur Rama të gjithë akuzat se mësuesit shkojnë në punë edhe pse janë të infektuar me koronavirus, nga frika se mos humbasin vendin e punës.
“Nuk ndodh absurdi me teatër të Lulzim Bashës, me aktorë që shfaqen rreth tij.”
Rama ka kritikuar ashpër Presidentin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhin për shkeljen e protokolleve.
“Shembullin më skandaloz të shkeljes së ligjit nga Presidenti i Republikës, nga Zonja e Parë dhe nga e gjithë çeta e tyre, na shfaqen në një spektakël të pështirë.”
Edi Rama akuzoi kundërshtarin politik Lulzim Basha për përdorim të viktimave nga pandemia për interesa politike.
“Nuk janë vota në zgjedhjet brenda PD-së, që numërohen sipas qefit. Arrijnë të përdorin edhe të vdekurit si nevojë e një lufte për pushtet.”
Përsa i përket vaksinës anticovid, kryeministri shpreson që në momentin kur të dalë në treg, Shqipëria të mund të marrë një numër të konsiderueshëm nga të gjithë kompanitë që do të marrin miratimin nga OBSH.