Lleshaj "kryqëzon" komisariatin e Skraparit për kanabisin: Rastet janë evidentuar nga DVP-ja Berat, implikim të policëve
Drejtoria vendore e Policisë së Beratit ishte ndalesa e radhës e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj për analizën e luftës së policisë ndaj kultivimit të kanabisit.
Ministri Lleshaj kritikoi ashpër komisariatin e Skraparit. Duke folur për median, Lleshaj tha se ka pasur raste kultivimi të kanabisit në Skrapar por se ato janë evidentuar nga drejtoria vendore e Beratit.
"Probleme të shtuara në lidhje me këtë fenomen të kultivimit të narkotikëve kemi pasur në zonën e Skraparit dhe këto probleme janë evidentuar nga DPV-ja e Beratit dhe jo nga Komisariati i Policisë Skrapar. Ne kemi vërejtje për efektivët e policisë Skrapar, ku kemi dhënë vërejtje pasi ka pasur implikime në nivele të ndryshme"-ka thënë Lleshaj.
Lleshaj pati një paralajmërim të qartë edhe për kontigjentin e krimit që merren me këtë veprimtari.
"Për ata që i gënjen mendja se mund të përfshihen në veprimtarinë kriminale të kultivimit të lëndëve narkotike, ta harrojnë. Ne do ti godasim me struktura të mirëorganizuara" ka thënë Lleshaj.
Nga ana tjetër ai u shpreh i kënaqur me punën e Drejtorisë vendore të Policisë së Beratit.