Penalizimet anti-Covid/Policia me dy standarde, falen zyrtarët socialistë, gjobiten qytetarët

Qytetarët që shkelin vendimin e Komitetit të Ekspertëve për mbajtjen e maskave apo shmangien e tubimeve me mbi 10 persona gjobiten rregullisht, por policia ka dështuar të penalizojë deputetët dhe kryebashkiakët që sfidojnë rregullat e pandemisë. Në listën e atyre që kanë shkelur urdhrin e Komitetit të Ekspertëve veç kryetarit të Bashkisë së Tiranës, janë edhe homologët e tij në Kukës e Kolonjë, apo edhe deputetë të PS në Vlorë.

"Lali Eri e ka korrigjuar gabimin sepse duke qenë se e kaloi Covid-in, harroi që maska duhet mbajtur. Ndërkohë që për dy të tjerët natyrisht që duhet të merren masa, por nuk jam unë që i marr këto masa", deklaroi Rama në një nga daljet e tij në Kryeministri.

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për mbajtjen e maskës me detyrim në ambiente është sfiduar nga kryebashkiakët e PS-së, Erion Veliaj dhe Safet Gjici, të cilët nuk janë ndëshkuar për këtë shkelje.

Sipas buletineve ditore, prej 15 tetorit policia ka gjobitur mbi 25 mijë qytetarë për mosvendosjen e maskës dhe pjesëmarrjen në grumbullime, por deputetët e mazhorancës vijojnë të mos e respektojnë urdhrin që është në fuqi në gjithë vendin.

I tillë është rasti i deputetit të Partisë Socialiste në Vlorë, Vullnet Sinaj.

Në listën e funksionarëve politikë kanë shkelur urdhrin e Komitetit Teknik është edhe kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai, i cili mori pjesë në ditëlindjen e aktorit Besart Kallaku.

Policia tha se ka gjobitur pjesëmarrësit e këtij eventi, por mbetet për tu parë nëse mes tyre është edhe Kryebashkiaku socialist, pasi deri më tani akti nuk është publikuar.

Për pjesëmarrjen në ditëlindjen e aktorit u ndëshkua dhe presidenti Ilir Meta dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Afrimi i festave është bërë shkak për grumbullime, pasi në sheshin "Skënderbej" vihen re qytetarë të shumtë të cilët nuk respektojnë distancën apo masat mbrojtëse, por dhe mungesa e policisë për të kryer kontrolle.

Gjobat e vëna në mënyrë selektive, sipas qytetarëve janë të papranueshme, pasi të gjithë janë të barabartë para ligjit.

"Për të gjithë duhet të jetë njëlloj, por janë këta shefat e mëdhenj, herë i vënë dhe herë jo, se nuk u kërkon njeri llogari."

"Gjithë këto sëmundje ku do të shkojë njerëzimi, të hamë njëri- tjetrin?!"

"Jo me dallime."

Ditët e fundit policia ka shtuar kontrollet dhe në parqet ku qytetarët kalojnë kohën e lirë, për të ndëshkuar ata që nuk respektojnë distancën apo vendosjen e maskës.