Denoncimi i PD-së: Senatoriumi i Korçës kthehet në spital COVID pa pasur oksigjen për të sëmurët

Dega e Partisë Demokratike denoncoi këtë të hënë  mungesën e oksigjenit për pacientët me koronavirus të shtruar në spitalin rajonal.

Në një deklaratë për mediat, PD thotë se  vetëm gjysma e dhomave të Senatoriumit të Korçës dhe dy dhoma të repartit infektiv “ku janë të hospitalizuar të sëmurë me COVID në gjendje të rëndë” janë të pajisura me linja oksigjeni

Sipas degës së PD-së në Korçë, vetëm gjysma e dhomave dhe dy dhoma të repartit

PD i kërkoi sqarime Ministres se si është vendosur që Senatoriumi i Korçës të kthehet në Spital COVID ndërkohë që “nuk plotëson standardet minimale” dhe nuk ka as “infrastrukturën e domosdoshme për trajtimin e të sëmurëve”.

Për selinë blu, kjo është një provë e pakundërshtueshme që sistemi shëndetësor është dorëzuar përballë pandemisë.

Deklarata e plotë

Rilindja le pa oksigjen të prekurit nga Covid në spitalin e Korçës

Dega e PD të Korçës,denoncon me shqetësim të thellë situatën e papreçedent,me të cilën po përballen të prekurit nga Covid 19,që trajtohen në Spitalin e Korçës.

Prej disa ditësh,gjysma e dhomave të Senatoriumit dhe vetëm dy dhoma të repartit infektiv,ku janë hospitalizuar të sëmurët me Covid në gjendje të rëndë,janë të pajisura me linja oksigjeni.

Jo vetëm kaq! Edhe në ato dhoma ku janë instaluar linja oksigjeni,presioni i tij është aq i ulët,sa nuk funksionojnë aparaturat.

 Është e qartë për të gjithë,çfarë pasojash fatale sjell mungesa e oksigjenit për pacientët,që luftojnë për të mbijetuar.

 Dhe është po aq e qartë,se mbi kë bie përgjegjësia ligjore, në radhë të parë,për mungesën e pajustifikuar të linjave të oksigjenit në spital,në një kohë, kur pandemia ka dalë jashtë kontrollit dhe shifrat po rriten frikshëm.

Makutëria dhe abuzimi,nuk mund të shfaqeshin në trajtë më çnjerëzore se kjo me të cilën po përballen të sëmurët në Korçë.

Dështimi, paaftësia dhe neglizhenca e një qeverie,nuk mund të jenë më kriminale se kaq!

Ajo që po ndodh në spitalin e Korçës, është provë e  pakontestueshme,që sistemi shëndetësor,i kalbur deri në palcë, është dorëzuar.

Për shkak të këtij sistemi, sot po vihet në rrezik shëndeti dhe jeta e qindra të prekurve nga Covid 19,të cilët i drejtohen për ndihmë spitaleve publikë. 

Dega e PD të Korçës, inkurajon çdo pjestar të personelit mjekësor në spitalin e Korçës,të vazhdojnë ashtu si deri sot,tju shërbejnë të sëmurëve me përkushtim dhe profesionalizëm, pavarësisht kushteve ekstreme në të cilat ju duhet të punojnë.

Ne jemi mirënjohës dhe përulësisht falenderues për çdo bluzë të bardhë, jo vetëm të spitalit të Korçës,por dhe qendrave shëndetësore.

 Këta heronj, edhe pse të lënë pa mbështetje nga qeveria,po vazhdojnë të  kryejnë me humanizëm të spikatur misionin e tyre fisnik.

Dhe së fundi,një pyetje thelbësore për Ogertën e sukseseve imagjinare: Si ke vendosur ta kthesh spitalin e Korçës në spital Covid,kur ai nuk plotëson as standartet minimale dhe ku mungojnë linjat e oksigjenit dhe infrastruktura e domosdoshme për trajtimin e pacientëve të prekur nga Covid?