Kodi elektoral/ Venecia takim online me Presidentin dhe KQZ, PS shtyn takimin. Në 11-12 dhjetor, opinioni përfundimtar
Komisioni i Venecias ka nisur lëvizjen për të shqyrtuar Kodin e ri Zgjedhor, i cili ndau në qëndrime mazhorancën, presidentin dhe opozitën e bashkuar.
Zyra e Kreut të Shtetit ka dhënë të gjithë argumentat e saj kundër ndryshimeve kushtetuese që më pas u implementuan në ligjin elektoral, të realizuara vetëm me votat e PS-së dhe të disa deputetëve të pakicës, por pa dakordësinë e Këshillit Politik.
Në takimin online të së hënës, me përfaqësuesit e Venecias, Presidenca edhe një herë e ka bërë të qartë, ashtu si në kthimin e Kodit për rishqyrtim, se mazhoranca me ndryshimet e fundit synon të favorizojë PS-në dhe të dëmtojë opozitën.
Gjithashtu takimet online të Komisionit të Venecias, për shkak të pandemisë, kanë vijuar me shoqërinë civile si dhe me Komisionerin Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashin.
Të martën para Venecias do të mbrohen edhe socialistët, të cilët kërkuan të heqin koalicionet parazgjedhore, pavarësisht kundërshtive të PD dhe Presidentit.
Madje edhe ndërkombëtarët këtë lëvizjet të mazhorancës e cilësuan si një shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit të arritur në Këshillin Politik me ndërmjetësimin e diplomatëve të huaj.
Me 11 dhe 12 dhjetor, Komisioni i Venecias në seancën plenare do të ketë edhe një opinion përfundimtar përsa i përket Kodit Zgjedhor, kërkesë kjo e Kreut të Shtetit.
Por pavarësisht rezultatit që do të sjellë Komisioni, kryeministri Edi Rama e ka parashtruar faktin se në zgjedhjet e 25 prillit do të shkohet me këtë Kod.
Pasi sipas tij nuk ka kohë për të implementuar opinionin e Venecias.