Covid-19, Maqedonia e Veriut shpalli gjendjen e krizës
Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shpalli të premten gjendjen e krizës për t’u përballur me pandeminë e koronavirusit, që në javët e fundit ka shkaktuar mesatarisht vdekjen e 20 njerëzve në ditë.
Shpalllja e gjendjes së krizës nënkupton marrjen nën menaxhim nga shteti të të gjitha kapaciteteve dhe burimeve të komunave të vendit nga shteti, përfshirë spitalet private. Spitalet dhe institucionet private shëndetësore do të menaxhohen nga shteti gjatë kësaj periudhe të pandemisë.
Disa nga pronarët e klinikave private nuk e kanë kundërshtuar vendimin, por kanë theksuar se kapacitetet e tyre janë të stërngarkuara dhe pak shtretër u kanë mbetur në dispozicion. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe u takua të premten pasdite me drejtues të spitaleve private për të diskutuar mënyrën e bashkëpunimit. Mjekët e spitaleve private po ashtu duhet të vihen në dispozicion të kërkesave të shtetit në lidhje me pandeminë e koronavirusit. Ndërkohë, autoritetet shëndetësore po i transformojnë disa nga klinikat e Qendrës spitalore të Shkupit në qendra të trajtimit të pacientëve të infektuar me koronavirus.
Gjendja e krizës nuk nënkupton nacionalizimin e këtyre institucioneve private dhe ato do të kompensohen deri në 30 përqind nga çmimi apo vlera e tregut për shfrytëzimin e burimeve të tyre, për trajtimin e pacientëve dhe ilaçet. Kjo masë që pritet të hyjë në fuqi nga dita e shtunë (21 nëntor) do të zgjasë për tridhjetë ditë.
Autoritetet më të larta shtetërore dhe shëndetësore thonë se pandemia e koronavirusit është jashtëzakonisht serioze dhe vendin e pret një periudhë kritike.
Gjatë kësaj periudhe do të aktivizohet ushtria, e cila do ta mbështesë policinë në ruajtjen e sigurisë në spitale.
Shpallja e gjendjes së krizës nuk ka lidhje me ndalim-qarkullimin apo izolimin e plotë. Nëse ka nevojë për këtë, qeveria do të marrë një vendim tjetër, por kryeministri Zoran Zaev tha se në këtë fazë nuk po shqyrtohet vendosja e një mase të tillë.
Për gjendjen e krizës është formuar një komitet brenda Qendrës për Menaxhimin e Krizave, ndërsa pritet që ajo të plotësohet me ekipe ekspertësh të fushave të ndryshme në Shkup dhe në qytetet tjera të vendit.
Deri më tani 1423 njerëz kanë vdekur në Maqedoninë e Veriut për shkak të koronavirusit. Nga 51213 infektuarit me Covid-19 deri tani, 19586 prej tyre janë raste aktive.