Kosova së shpejti me spital të ri të Kirurgjisë së Fëmijëve, investimi 26 milion dollarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj, ka vizituar nga afër punimet që po bëhen në spitalin e ri të Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Përmes një postimi në facebook, Zemaj ka njoftuar se ndërtimi i këtij spitali është duke u finalizuar. Ai falenderoi donatorët dhe ish presidenten Jahjaga, për këtë vepër.
"Vizita në Spitalin e ri Pediatrik-Kirurgjik të Fëmijëve, i cili është duke u finalizuar, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ishte shumë mbresëlënës, për punën e shkëlqyer që po bëhej.
Ndërtimi i spitalit, pajisjet përcjellëse dhe teknologjia e fjalës së fundit, trajnimi i personelit janë donacion nga Shkëlqesia e saj, Sheik Fatima bint Mubarak, me vlerë mbi 26 milion dollar.
Ky spital do të jetë zgjidhje për lindjet e foshnjave të shëndetshme. Jemi falënderues për donatorët dhe përkushtimin e ish presidentes Jahjaga për këtë vepër të madhe për shëndetësinë tonë", ka shkruar Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj në facebook.