Vdes nga Covid-19 kreu i Kishës Ortodokse Serbe

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, ka vdekur si pasojë e infektimit me koronavirusin e ri. Irinej u shtrua në spital më 4 nëntor dhe prej orësh po ndihmohej me frymëmarrje artificiale.

Kreu i Kishës Ortodokse të Serbisë, patriarku Irinej, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare pas një beteje gati trejavore me koronavirusin.

Kryepeshkopi gjeti vdekjen mëngjesin e së premtes në spitalin ushtarak të kryeqytetit, pasi prej orësh qëndronte i intubuar për shkak të frymëmarrjes së rënduar nga pneumonia.

Ai po kurohej atje prej datës 4 nëntor kur u diagnostikua me simptomat e kovidit-19.

"Ishte një nder të të njihnim. Njerëz si ty nuk largohen asnjëherë," reagoi presidenti Aleksandër Vuçiç, duke postuar në rrjetet sociale një foto bardhezi të kryepeshkopit, pak orë pasi e vizitoi personalisht për të mësuar mbi situatën e tij.

Patriarku Irinej apo i njohur me emrin e lindjes si Miroslav Graviloviç, u bë lideri shpirtëror i ortodoksëve serbë në vitin 2010.

Ai barti një përvojë 35-vjeçare si peshkop në qytetin serb e Nishit.

Shkollën e mesme e kreu në Prizren të Kosovës, më pas ndoqi studimet universitare në Beograd, në Athinë, dhe u rikthye në Prizren në 1969-ën këtë radhë në postin e rektorit.

Patriarku Irinej njihej për bindjet e tij nacionaliste kundrejt Kosovës por edhe Bosnjë-Hercegovinës dhe shpresonte që një ditë Serbia do i bënte ato pjesë të vetën.

Në vitin 2010, ai e quajti pavarësimin dhe njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës, një mëkat të rëndë, dhe komentet për shqiptarët fqinj do i vijonte deri në muajt e fundit, duke e cilësuar Kosovën, "tokë të shenjtë serbe".

Autoritetet serbe kanë konfirmuar gjithsej mbi 100 mijë raste dhe më shumë se 1,100 viktima nga kovidi-19.

Më 30 tetor, një tjetër figurë e lartë fetare, mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, ndërroi jetë si pasojë e infektimit me virusin vdekjeprurës.

Kryepeshkopi i Shqipërisë, Janullatos, dhe homologu i tij grek, Jeronimi, gjithashtu po marrin ndihmë spitalore për sëmundjen infektive por gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar.