Të zhdukurit në Vlorë, Ministri mohon fenomenin: Duhet të ndajmë legjendën nga realiteti
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në vizitën në Vlorë ka theksuar se ka informacione vetëm për 4 raste të zhdukjes së të rinjve në Vlorë. Sipas tij gjithçka tjetër mbetet legjendë. Por ndërsa pas 1 viti funksionimi të OFL ka pak prona të konfiskuara, Ministri shprehet se operacioni do të vazhdojë.
Prej kohësh Vlora është përfshirë nga ngjarje kriminale, ku djegiet e automjeteve dhe lëndët plasëse janë konsideruar si kërcënime.
Madje nuk kanë munguar as rastet kur familjarët kanë denoncuar zhdukjen e fëmijëve.
Në qytetin bregdetar thuhet se janë 22 raste ku nuk u dihet vendndodhja, por për ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, numri nuk është kaq.
Lleshaj: Nuk njoh një fenomen në Vlorë. Në Vlorë dhe në vende të tjera ka pasur raste për të cilat policia ka hapur procese penale. Në polici nuk janë referuar 22, nuk është e dhënë e jona. Duhet të bëjmë dallimin midis legjendës dhe realitetit. Policia përgjigjet për raste që referohen pranë zyrave të saj, evidencat nuk na tregojnë se ka kaq shumë raste, ka më shumë një legjendë të krijuar dhe mbështetur nga ata që nuk e di pse e mbështesin këtë ide, por nuk na rezulton reale.
Deklaratat Lleshaj i bëri në mbyllje të analizës së punës në drejtorinë vendore të policisë së Vlorës në luftën kundër kultivimit të kanabisit.
Lleshaj tha se ka pasur rezultate të konsiderueshme por edhe mangësi.
Lleshaj: Jemi sot në Vlorë për të zhvilluar një analizë lidhur me masat, rezultatet e arritura nga drejtoria vendore e policisë në luftën kundër tentativave për kultivikimin e kanabisiot në qarkun e Vlorës. Rezulton se puna e bërë nga drejtoria vendore e ka plotësuar misionin, ka arritur të godasë fort fenomenin e kultivimit të kanabisit në gjithë qarkun e Vlorës duke shënuar rezultate të rëndësishme. Krahas rezultateve ka pasur edhe magësi të cilat i evidentuam dhe për të cilat janë marrë dhe do të merren masa. Kemi pasur tentativa të shkëputura, megjithatë e rëndësishme është se në gjithë vendin lufta kundër kanabisit ka shënuar rezultate shumë inkurajuese, kjo vëret në sasinë e kanabisit të kapur dhe sekuestruar nga autoritetet e vendeve fqinje, vende të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten destinacioni i kësaj veprimtarie të paligjshme. Angazhimi ynë për luftën ndaj kanabisit do të vazhdojë të thellohet.
Ministri la të kuptohej se edhe zëvendësimet e fundit të shefit të komisaritatit të Vlorës dhe Himarës lidhet me mosrezultatet ndaj kanabisit, ndërsa lëshoi edhe një paralajmërim.
Lleshaj: Nuk flasim për veprimtari kriminale por për përmbushje ose mospërmbushje të detyrës. Sigurisht që mangësitë e evidentuara në aspekte të veçanta në punës këtu kanë sjellë edhe ndërhyrje në fushën e personelit në Vlorë dhe qarqe të tjera. Vlerësimi i përformancës është kriteri kyç për secilin. Puna e kujtdo matet me rezultatet në terren. Ne nuk mund të mbajmë paralelisht edhe punonjës policie që nuk bëjnë detyrën, edhe veprimtari kriminale që zhvillohen në terren. Ose njëra, ose tjetra. Ose krimi do të tkurret dhe policia do të jetë në detyrën e vet, ose e kundërta, ai që nuk arrin të përballet do të tërhiqet patjetër. Masat janë marrë dhe do të vazhdojnë të merren në vijimësi ndaj të gjithë atyre punonjësve të policisë që nuk arrijnë dot të performojnë në nivelin e kërkuar.
Lleshaj theksoi se bashkë me përfundimin e operacionit për 2020 fillon tani operacioni i policisë në gjithë vendin për të goditur tentativat për 2021.
Lleshaj: Synohet që këtë vit qasja të ndryshojë, do të goditet në mënyrë tjetër përmes hetimeve proaktive, përmes kërkimit dhe gjetjes së rrjetit të furnizimit me fara dhe elementë të tjerë me qëllim që brenda muajit mars të kemi mundësi të bëjmë një bilanc të angazhimit të policisë së shtetit kundër tentativave të kanabisit. Jemi të bindur se lufta kundër kanabisit është një luftë kundër krimit në terësi në vend pasi kanabisi dhe veprimtari të tjera të bashkëlidhura me të janë gjeneratori kryesor i pjesës së madhe të veprimtarisë kriminale në vend. Goditja e fortë e kohëve të fundit qoftë kundër kanabisit, qoftë kundër pasurive të gjeneruara nga veprimtari kriminale ka sjellë si rezultat që e gjithë tabloja e kriminalitetit në vend të pësojë një tkurrje të ndjeshme. Të gjitha veprat kriminale të regjistruara për 2020 kanë një reduktim të ndjeshëm edhe krahasuar me 2019, sigurisht krahasuar me vitet e mëparshme janë akoma më të ulëta. Betejën do ta zhvillojmë në dy fronte të rëndësishme, luftën kundër kanabisit dhe goditjen e pasurive kriminale të gjeneruara prej tij dhe prej veprimtarive të tjera.
Edhe pse nga sekuestrot e OFL vetëm pak prej tyre janë konfiskuar Lleshaj nga Vlora premtoi sërish goditje të pasurive të krimit.
Lleshaj: Pasuritë e ngritura nga krimi janë objekt i madh i punës së policisë së Shtetit. OFL synon pikërisht këtë. Duma të përcjellim një mesazh të madh te ata që janë futur apo tebntojnë të futen në rrugën e krimit se çfarëdo që të bëhet do të vijë një ditë që pasuria do të merret. Rezultatet e deritanishme të OFL flasin për qindra pasuri të rëndësishme që janë sekuestruar dhe janë në rrugën e konfiskimit dhe vënies në shërbim të publikut.
Analizës vjetore të drejtorisë vendore të policisë së Vlorës i mungoi drejtori i përgjithshëm Ardi Veliu, i cili është infektuar me koronavirus.
Detyrën e tij e ka marrë përkohësisht Albert Dervishaj, i cili u shfaq në krah të Lleshajt.