"Mision i pamundur" Jeta e personave me aftësi të kufizuar në Vlorë
Administrata ka harruar të zbatojë ligjin sa i përket të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Vendkalimet e posacme për ta mungojnë, si dhe sinjalistika. Kryetari i Shoqatës së PAK, shpreh shqetësimet për neglizhencën e bashkisë.
Një banor i Vlorës me aftësi të kufizuara tregon për Ora News vështirësitë që ndesh në përditshmërinë e tij.
"Akoma në qytetin e Vlorës, veç bulevardit kryesor, nuk ka ndonjë vënie dorë në rrugë apo në përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuara. Të rralla janë institucionet në Vlorë që kanë bërë përshtatshmërinë. Qendrat e biznesit, siç janë kafenetë, lokalet e ndryshme të shërbimeve për qytetarinë nuk janë të përshtatura. Në Lungomare nuk ka përshtatshmëri për personat me aftësi të kufizuar", tregoni banori.
Edhe pse kanë kërkuar zbatimin e detyrimeve që lindin nga konventa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pak kush i ka pritur për t'ua dëgjuar hallet.
"Për shërbimet konkrete për personat me aftësi të kufizuar, as që bëhet fjalë, është jashtëzakonisht e vështirë. Duhet të paraqitesh në sportelin e një institucioni. Edhe nga pandemia, edhe nga aplikacioni E-Albania dhe në aplikacione të tjera që mund të hyjë një person me aftësi të kufizuara për të kërkuar shërbime, është jashtëzakonisht e vështirë sepse, ja siç jam unë përshembull, të shkoj tek një qendër interneti, nuk hyj dot brenda", shprehet banori.
Në Vlorë janë mbi 1200 persona me aftësi të kufizuar që duhet të përballen çdo ditë me vështirësitë që hasin për shkak të gjendjes së tyre, dhe mos-reagimit të institucioneve përgjegjëse.