Ministri Di Maio mban optimizimin për negociatat: Italia do të nxisë mbledhjen sa më parë të konferencës
Kuadri negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore nuk mundi të miratohet nga ministrat e Punëve Evropiane të BE-së.
Por Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Italian, Luigi Di Maio, u shpreh optimist për thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare duke nënvizuar se Italia do të instistojë shumë për një datë sa më të afërt.
"Italia gjithmonë ka qenë pranë Shqipërisë në rrugën drejt integrimit në BE dhe mbështet me bindje rrugëtimin e reformave kurajoze të brendshme të ndërmarra nga Tirana në këtë drejtim. Duhet të punojmë që të thirret konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht ndalesës këtë javë mbetemi të vendosur për të arritur objektivat tona brenda BE që të fillojmë konferencën".
Deklaratat Di Maio i bëri gjatë konferencës së përbashkët për mediat me kryeministrin Rama në Tiranë.
Të dy firmosën sot marrëveshjen për Krijimin e Komitetit të Përbashkët të Përhershëm Shqipëri-Itali.
Lidhur me negociatat, problem është vetoja bullgare ndaj Shkupit. Bullgaria kërkon përfshirjen e një kapitulli mbi zgjidhjen e çështjeve që lidhen me historinë dhe gjuhën, gjë që kundërshtohet fort nga Shkupi.
Për Shqipërinë, sipas Komisionit Evropian, kushtet që duhet plotësuar janë bërja funksionale e Gjykatës Kushtetuese dhe reflektimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për ligjin e medias, njohur si paketa anti-shpifje.