Shtatë vite pa Sokolin, Maliqi bën dedikimin: I mungon miqve e kundërshtarëve

Sot bëhen 7 vite nga dita kur në një aksident të rëndë rrugor humbi jetën Sokol Olldashi, deputeti I PD-së dhe një nga figurat kryesore të kësaj partie.

Deputeti i opozitës Lefter Maliqi e kujton me një postim të ndjerë mikun e tij.

7 vite pa Sokolin, 7 vite me Shqipërinë që nuk ecën… Le të vazhdojmë kontributin e tij me fitoren e 25 Prillit…

Sot më shumë se kurrë, njeriu vizionar, me ëndrra për Shqipërinë, i mungon familjes, miqve, Partisë Demokratike, Parlamentit, Shtetit, por edhe kundërshtarëve, sepse ishte privilegj ta kishe kundër njeriun e ideve, të punëve, të dëshirave vetëm për të bërë mirë.

Unë kam patur fatin dhe nderin ta kem mik dhe bashkëpunëtor në krah të projekteve për zhvillimin e qarkut të Beratit, por jo vetëm.

Unë jam i bindur, se me Sokolin mes nesh, Shqipëria sot do të ishte më e mirë, sepse Sokoli ishte implementuesi më i mirë i fjalëve në vepra.


 Ndër të tjera Maliqi thotë se fitorja e opozitës do të ishte një shpërblim për kontributin e tij

Prandaj, në emër të kujtimit të tij, fitorja e Opozitës në garën e afërt elektorale, do të ishte dedikim edhe për të, do të ishte shpërblim edhe për kontributin e tij të pavdekshëm në shoqëri dhe politikë.

Le të vazhdojmë kontributin e lënë përgjysmë nga Sokoli… për Shqipërinë dhe Shqiptarët!

I paharruar Mik i mirë!"