Shembjet nga tërmeti në Durrës, prokuroria mbyll hetimet dhe çon për gjykim 16 të pandehur
6 ditë para përvjetorit të parë të tërmetit të 26 nëntorit, prokuroria e Durrësit ka përfunduar hetimet për çështjen dhe ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatë. 16 persona, kryesish ish-zyrtarë të institucioneve të ndryshme, por edhe ndërtues janë vënë në akuzë për “vrasje nga pakujdesia dhe shpërdorim detyre”. Sipas akuzës cilësia e dobët e materialeve të ndërtimit dhe shkelja e standardeve sollën humbjen e 23 jetëve vetëm në territorin e Bashkisë së Durrësit.
Cilësia e dobët e materialeve, shkelja e standardeve dhe ndërtimet ose shtesat pa leje janë zyrtarisht shkaku që u mori jetën 23 banorëve të Durrësit në 7 objekte të shembura pas tërmetit të 26 nëntorit.
Anita Jella: Në 7 objektet në të cilat pati viktima rezultoi se ato ndërtime kishin probleme jo vetëm në cilësinë e materialeve të ndërtimit, hekurit dhe betonit, por edhe në drejtim të zbatimit të rregullave, normave dhe standardeve në fushën e ndërtimeve si dhe për shkak të kryerjes së ndërtimeve dhe shtesave pa lejen e organeve kompetente. Po kështu rezultoi se këto pasoja kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes në kundërshtim me ligjin apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierë zbatues, mbikqyrës dhe kolaudatorë të këtyre ndërtimeve, por edhe nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin dhe mbikqyrjen e tyre. Ky hetim nxori në pah një sërë problemematikash sa i përket cilësisë së materialeve të ndërtimt. Në disa prej objekteve, cilësia, rezistenca e betonit dhe hekurit të përdorur rezultoi të ishte e dobët dhe jo në përputhje me kushtet dhe kriteret e projektimit dhe zbatimit.
6 ditë para përvjetorit të parë të fatkeqesisë natyrore, prokuroria e Durrësit ka çuar për gjykim dosjen ku ngre akuzë ndaj 16 personave, kryesisht ish-zyrtarë të institucioneve vendore dhe ndërtues.
Ramiz Shehu do të gjykohet në cilësinë e projektuesit dhe zbatuesit të punimeve të ndërtimit pa leje të banesës së familjes Lala, ku humbën jetën 8 persona.
Abdulla Osmani, pronar i Hotel Tropikal ku humbën jetën dy vëllezërit Shemsedin Abazi dhe Isah Abazi ka rezultuar se ka kryer ndërtimin e objektit pesë katesh+papafingo, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit.
Ruzhdi Xheka, pronar i Hotel Mira Mare, ku humbën jetën Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka, e kishte ndërtuar objektin pa leje në vitin 1998, ndërsa objekti është legalizuar në vitin 2019. Sipas hetimit, akti-teknik ishte firmosur nga një person që kishte ndërruar jetë 5 vite para se të kryhej legalizimi këtij objekti.
Dëshira Qato lidhet me hotel Vila Palma, ku humbi jetën vjehrrri i saj Sadik Qato. Ajo akuzohet kryer ndërtimin e objektit 8+1 kate, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit përsa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit ndërtimor.
10 persona, kryesisht ish-zyrtarë të ALUIZNIT në Durrës, akuzohen për shpërdorim detyre dhe një person për ndërtim pa leje.
Prokuroria e Durrësit ka vendosur të kërkojë pushim hetimi për ish-drejtorin e kovaleshencës ku humbi jetën Bajram Hajdarmetaj dhe ndaj Defrim Celamit ku të dy dyshoheshin për shpërdorim detyre.
Të gjithë personat e akuzuar për pasojat e tërmetit në Durrës janë të gjithë në gjendje të lirë, ku tre prej tyre nuk janë vënë asnjëherë në pranga.
“VRASJE NGA PAKUJDESIA”
- Ramiz Shehu
- Abdulla Osmani
- Ruzhdi Xheka
- Deshira Qato
“FALSIFIKIM I DOKUMENTEVE”
- Nevjana Isufi
- Artur Terziu
“SHPËRDORIM DETYRE”
- Arben Isaku
- Aldo Dakoveli
- Artur Çela
- Klajdi Lame
- Flamur Gjuzi
- Albrend Qetka
- Skerdi Bello
- Artenis Malko
- Arben Qato
- Kujtim Hasa
“NDËRTIM I PALIGJSHËM”
- Artur Terziu
PUSHIM AKUZE
Defrim Celami
Ahmet Doda