Gjashtë km nga Vlora, lëvizet me gomar dhe uji nuk pihet fare

Duke filluar nga ky vend, duket sikur për banorët e fshatit Çeprat në Vlorë, koha ka ndaluar.

Sapo mbaron asfalti, banorët në shumë raste lëvizin me kafshët e tyre.

Edhe pse është vetëm 6 kilometra nga Vlora, fshati ka mbetur tërësisht në harresë të Bashkisë, ndërsa rruga është në krye të problemeve të këtyre banorëve.

“Edhe këtë rrugën këtu e kemi bërë ne vetë, me forcat tona sepse bashkia nuk ekziston fare. Në kohën e fushatave vijnë na bëjnë premtime për të marr votat , por një copë rrugë nuk na kanë rregulluar”, shprehen banorët.

Edhe uji është problem i rëndësishëm, ndërsa banorët janë detyruar të hapin puse në oborret e tyre.

“Uji këtu nuk pihet fare, problemin e kemi zgjidhur duke hapur puse vetë. Kush vjen të na i plotësojë kërkesat tona është i mirëpritur dhe i ka votat tona të gjitha”, shprehen banorët.

Madje mungesa e ujit, ka bërë që të ndikojë edhe në bujqësi dhe prodhim.

“Sidomos këtë vit uji ka ardhur me 5 korrik, mendoje vet se çfarë mund të bëhet. Pjesa më e madhe e jona këtë vit ka ngelur pa prodhim”, shprehen banorët.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, ky fshat vuan edhe mundesën e energjisë elektrike.

“Një erë e lehtë të fryej këtu dhe ne nuk kemi energji elektrike”, shprehen banorët.

Shumë banorë kanë vendosur që të ikin nga fshati, kjo edhe për shkak të mungesës së investimeve, sepse pa ujë dhe rrugë nuk mund të ketë as jetë.