"Nuk e akuzoj unë", Rama mesazh publik Bashës për masakrën në Krushë të Madhe: Të sqarojë se kush është ai në këtë mes
Raporti i Dick Martyn për rolin e kryedemokratit Lulzim Basha si informator kundër UCK, ka ngjallur debate të mëdha në politikën shqiptare.
Situata u rëndua pasi kameramani Milaim Bellanica rrëfeu se kaseta e filmuar 22 vite më parë gjatë masakrës së serbëve mbi kosovarët, i është dorëzuar Bashës në cilësinë e punonjësit të UMNIK-ut.
Kësaj here kryeministri Edi Rama ka publikuar një video ku duket Bellanica që jep më shumë informacion mbi këtë ngjarje, ndërkohë që kreu i qeverisë ka larguar nga shpatullat barrën se ai po akuzon kundërshtarin e tij politik për këtë çështje.
“Nuk jam unë që e akuzoj Lulëzim Bashën! Vetë heshtja e tij e gjatë, shmangia nga ballafaqimi me pretendimet e palëve të tjera, sharjet në vend të shpjegimeve dhe mosshpjegimet e tij tipike për dikë që fshihet, përballë fakteve dhe dëshmive nga organizata e individë krejt të besueshëm, e kanë kthyer Lulëzimin në një të akuzuar, që sa më shumë i bën bisht përballjes me akuzat e disa dëshmitarëve në Kosovë, të cilët as i njoh e as i kam takuar kurrë, aq më i dyshimtë duket në sytë e publikut!”, shkruan Rama.
Rama ndër të tjera i ka bërë thirrje Bashës që të tregojë rolin e tij në këtë histori.
“Në këtë mes unë kam vetëm një rol, atë që më takon: T'i kërkoj Lulëzim Bashës t'i sqarojë publikut se kush është ai në këtë mes dhe pse i'a kërkojnë atij dëshmitarët hesapin e nuk i'a kërkojnë dikujt tjetër?! Dhe pse sipas tij, partia që ai drejton, dje në qeveri e votoi pro rezolutën e Këshillit të Europës, ngritur mbi raportin famëkeq të Dick Marty, të cilin Partia Socialiste, e votoi kundër?!
Ai duhet të përgjigjet, sepse Lulëzimi nuk është dokushdo dhe këtu nuk flitet as për jetën private, as për punën private, po për një çështje sa publike e deri edhe me interes kombëtar, aq edhe karakteriale për drejtuesin e opozitës, i cili synon të bëhet i pari i shtëpisë sonë të përbashkët. Bishtnimi në këtë rast amplifikon akuzat!”
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/413075963058854/